Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë nga ambientet e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Pas përfundimit të marrjes në pyetje, Berisha shprehet se është kallëzuar nga gjyqtarja Irena Gjoka për fyerje, por sipas kryedemokratit, ky kallëzim penal është i ngritur mbi bazën e shpifjeve. Madje për këtë, Berisha tha se ky kallëzim i ndikuar gjithashtu nga kryeministri, Edi Rama
“Këtu u thirra me firmë të Altin Troplinit. Altin Troplini ishte shumë i shqetësuar. I shqetësuar deri në palcë, Altin Troplini që po shtronte një gotë verë me Pojën, e kishte në zyrë.
Tani për fyerjen e gjyqtares, dëgjojeni pak këtu, të parashikuar në kaq e aq, Irena Gjoka në detyrë pranë gjykatës, kur unë e pyes nëse ke një bisedë telefonike me Alket Hysenin për 500 mijë euro… dhe gjykatësja e Edi Ramës, familjare, se ka lidhje familjare me Edi Ramën. Unë doja të lexoja, por nuk arrita, për të kuptuar stilin nëse ka dorë Linda Rama në atë material apo jo se janë shumë shoqe, siç e keni marrë vesh. Janë shoqe.
A ke ti ndonjë bisedë me Alket Hysenin me të cilën flitet për 500 mijë euro për ryshfet për të hequr nga klasifikimi si grup kriminal apo e ke me Mirel Mërtirin? Tani, këtë Irena me 5 mbiemra e ka marrë si fyerje. Pra ushtrimin e funksionit publik timin si kryetar i partisë më të madhe opozitare dhe pyetjen, në të cilën po të ishte e pafajshme, do ta refuzonte, do ta shpjegonte, por Irena, një mashtruese ordinere, një delinkuente klasike, një person që e ka vendin në burg dhe në qeli për ato që ka bërë, e nxitur nga Edi Rama dhe Altin Troplini, ngre padi ndaj meje për fyerje.“, tha Berisha.
Kujtojmë se Berisha e ka akuzuar vazhdimisht gjyqtaren në fjalë, ndërsa së fundmi ka pretenduar se ajo rezulton e dënuar për falsifikim nga Kolegji Penal i Janinës. Ndaj saj, ka bërë edhe kallëzim në tetor 2023, pas vendimit të GJKKO për detyrim paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë vendi të kryetarit të Partisë Demokratike.
Kryedemokrati u paraqit në ambientet e SPAK-ut rreth orës 10:00 dhe u pyet në cilësinë e personit që ka dijeni lidhur me një hetim.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar KLGJ-së që t’i vërë në dispozicion dosjen e gjyqtares Irena Gjoka. Kërkesa është bërë në datën 19 prill, kur u publikuan për herë të parë, fakte nga media greke për një urdhër dëbimi të dhënë për gjyqtaren Gjoka, nga policia e vendit fqinj. Pasditen e së martës është njoftuar nga KLGJ se kjo e fundit i ka dorëzuar Prokurorisë së Përgjithshme të gjithë dosjen e gjyqtares, përfshirë edhe formularin e vetë-deklarimit, i cili konsiderohet si më kryesori në këtë rast.