Gjatë ceremonisë së homazheve në nderim të Azem Hajdarit, në përvjetorin e 27-të të vrasjes së tij, ish-kryeministri dhe lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një deklaratë të fortë për mediat, duke e cilësuar këtë ditë si një moment reflektimi, betimi dhe thirrje për aksion politik.
“Në këtë përvjetor të rënies së tij për të mbetur i pavdekshëm, Azem Hajdari së bashku me Besim Çerjan janë më të gjallë se kurrë në idealet e shqiptarëve që aspirojnë lirinë dhe dinjitetin njerëzor,” u shpreh Berisha para monumentit të Hajdarit në qendër të Tiranës.
Duke folur për situatën aktuale politike në vend, Berisha tha se idealet për të cilat Hajdari luftoi janë më të rëndësishme dhe aktuale se kurrë. Sipas tij, Shqipëria është sot e zhytur në një “diktaturë të drogës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve,” dhe pluralizmi politik është i dhunuar në thelb.
“Sot, vota e lirë nuk ekziston, fjala e lirë është në satrin e xhelatëve të pushtetit, në satrin e Edi Ramës, ashtu si në diktaturën e kaluar ku i ati i tij firmoste varje të poetëve dhe ekzekutime për mendimin e lirë,” deklaroi ai, duke krahasuar situatën aktuale me regjimin komunist.
Berisha e cilësoi këtë ditë si një “ditë betimi” për çdo demokrat dhe mbështetës të opozitës, për të qëndruar të gatshëm për çdo çmim e sakrificë në mbrojtje të lirive themelore.
“Liria ka çmim sakrificën. Kam bindjen se demokratët shqiptarë dhe opozitarët, pavarësisht nga ditët e vështira, do t’i tregojnë Shqipërisë dhe botës se janë në armiqësi për jetë a vdekje me armiqtë e lirisë,” përfundoi Berisha.