Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nderoi sot me një minutë heshtje ish-kongresmenin amerikan Eliot Engel, i cili u nda nga jeta një ditë më parë.
Berisha e cilësoi ish-kongresmenin Engel si një nga miqtë më të mëdhenj të kombit shqiptar, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe kudo që ndodhen.
Përmes një komunikimi në rrjetet sociale, Berisha u shpreh se Engel ishte një figurë e shquar që i kushtoi një pjesë të madhe të jetës së tij mbështetjes së çështjes shqiptare.
Ai vlerësoi kontributin e Engel gjatë karrierës së tij në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.
“Eliot Engel punoi si kongresmen për 16 legjislatura në Kongresin e SHBA, ndau kohën dhe zemrën e tij krahas zgjedhësve dhe vendit të tij madh edhe si promotor, avokat, zë i pamposhtur i kauzës së drejtë të shqiptarëve të Kosovës, shqiptarëve në Mal të Zi dhe për demokracinë shqiptare”, theksoi Berisha.
Berisha shtoi se gjatë jetës së tij politike nuk kishte njohur një tjetër figurë që të kishte kontribuar më shumë për shqiptarët me aq përkushtim.
“Në jetën time politike nuk kam njohur kurrë një njeri që të ketë bërë më shumë për kombin tonë me aq dashuri dhe pasion çfarë kishte mundësi, se sa Eliot Engel. Nderojmë ne me një minutë heshtje kujtimin e tij”, tha kreu i PD-së.
