Image 644 360x200

Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është zhvilluar sot, 18 shtator, procesi gjyqësor në themel ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i akuzuar për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, lidhur me çështjen e njohur si “Sterilizimi”.

Beqaj ka kundërshtuar akuzat duke i cilësuar ato të paligjshme, ndërsa ka theksuar “se nuk është njohur me aktet e Prokurorisë”.

Pas kundërshtive nga ana e ish-ministrit, seanca është shtyrë për në datën 2 tetor.

Kujtojmë se Beqaj po mbahet prej 1 viti në paraburgimin e Durrësit për dosjen SASPAC të abuzimit me donacionet e huaja ndërsa po gjykohet me procedurë të zakonshme për dosjen e Sterilizimit.

Gjykata vendosi të pranojë për gjykim dosjen e sterilizimit më 23 janar të këtij viti. Të pandehur janë marrë zyrtarisht: Ilir Beqaj ish-ministër i Shëndetësisë, ish-zv/ministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, të cilët gjykohen për veprën penale vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe grup kriminal.

Për Gjykatën e Posaçme, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe ish-zëvendësi i tij Klodian Rjepaj frynë kostot e shërbimit të sterilizimit në masën e 56.4% me qëllim përvetësimin dhe vjedhjen e fondeve të Ministrisë së Shëndetësisë.

Në vendimin e gjyqtares së seancës paraprake, analizohet çdo pikë e kontratës së lidhur në vitin 2015 mes Ministrisë dhe koncensionarit, ku konkludohet se kontrata është negociuar në favor të kompanisë fituese.

Gjykata, shton se me firmën e ish-ministrit, shteti është detyruar të jetë palë e një kontrate nga e cila nuk fiton asgjë.

Ndërkohë Ilir Beqaj është i akuzuar edhe për abuzimet me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës kur drejtonte Agjencinë e Koordinimit të Ndihmës së Huaj.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights