Nëndrejtoresha e një gjimnazi privat në Tiranë, ku ka kryer studimet ish-deputeti demokrat Belind Këlliçi, u paraqit këtë të enjte në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Ajo u thirr për të dhënë dëshmi në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj Këlliçit, të cilat lidhen me dyshime për fshehje pasurie dhe falsifikim dokumentesh.
Pas daljes nga SPAK, Brikena Baxhuku nuk pranoi të japë detaje për mediat, por konfirmoi se ishte thirrur për këtë çështje.
Hetimet ndaj Këlliçit nisën pas një kallëzimi të bërë nga avokati Idajet Beqiri, i cili pretendon se ish-deputeti ka manipuluar të dhënat e tij arsimore dhe nuk ka deklaruar pasurinë e bashkëjetueses së tij. Sipas denoncimit, Këlliçi nuk ka përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme dhe ka përdorur dokumente të falsifikuara për të ndjekur studimet në SHBA. Po ashtu, ai dyshohet se ka bërë deklarime të rreme në formularët zyrtarë gjatë kandidimit për deputet.
SPAK vijon hetimet për të verifikuar këto pretendime, ndërsa nuk dihet ende nëse ndaj ish-deputetit do të ketë masa të mëtejshme ligjore.