1 87 696x499

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja priti në një takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Abbott, ku në fokus ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh në fushën doganore dhe atë të sigurisë kufitare.

Gjatë bisedës, Beja vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka ofruar Administratës Doganore Shqiptare, duke theksuar se partneriteti me institucionet britanike ka qenë thelbësor në rritjen e kapaciteteve operacionale dhe në modernizimin e procedurave të kontrollit.

Nga ana e tij, Ambasadori Abbott vlerësoi progresin e bërë nga Dogana Shqiptare dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.

“Shqipëria mbetet një partner i rëndësishëm për Mbretërinë e Bashkuar në adresimin e sfidave të përbashkëta, si lufta kundër kontrabandës, trafiqeve të paligjshme dhe forcimi i kontrollit në kufi”, deklaroi Abbott.

Ai theksoi rëndësinë e vijimit të projekteve të përbashkëta që synojnë rritjen e sigurisë dhe lehtësimin e tregtisë së ligjshme.

Në vijim të takimit, bashkëbiseduesit u ndalën veçanërisht te rezultatet konkrete të bashkëpunimit ndër vite, përfshirë implementimin e sistemeve inteligjente të monitorimit në pikat e kalimit kufitar, si dhe operacionet e përbashkëta në Portin e Durrësit, të cilat kanë kontribuuar ndjeshëm në parandalimin e aktiviteteve të paligjshme dhe rritjen e efektivitetit të kontrolleve.

Palët diskutuan gjithashtu mbi nevojën për intensifikimin e shkëmbimit të informacionit dhe përdorimin e teknologjive të avancuara për analizën e riskut, në funksion të përballimit të sfidave të reja që lidhen me sigurinë dhe tregtinë ndërkombëtare.

Takimi konfirmoi edhe një herë nivelin e lartë të bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare dhe atyre britanike, si dhe angazhimin e përbashkët për ta çuar këtë partneritet në një fazë edhe më të avancuar, në shërbim të sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe integrimit rajonal.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights