Në Golem të Kavajës u zhvillua sot samiti i Procesit të Brdo-Brijuni-t që mblodhi krerët e shteteve pjesëmarrëse në diskutim për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin në BE.
Në konferencën e përbashkët për mediet pas përfundimit të seancës plenare, theksoi se samiti përbën platformë të rëndësishme rajonale mbi shkëmbimin e ideve dhe vizioneve mbi të ardhmen e rajonit tonë.
Begaj tha se “Shqipëria mbështet dialogun rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, si element thelbësor për ruajtjen e paqes, zhvillimit ekonomik dhe integrimit rajonal”.
Presidenti nënvizoi se në samitin e sotëm “theksuam se Ballkani Perëndimor ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në drejtim të bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe formimit të marrëdhënieve ekonomike. Rajoni ynë përballet me sfida, sfida të sigurisë, të cilat kërkojnë rritje të bashkëpunimit dhe koordinimit më të ngushtë mes nesh”.
“Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian, për vendet e rajonit përbën mundësi të çmuar për zhvillimin ekonomik, pasi krijon akses në instrumente financiare të Bashkimit Evropian, lehtësi tregtare dhe programe të përbashkëta për zhvillim”, u shpreh Begaj.
Gjithashtu, shtoi Begaj “diskutuam për rrugët e bashkëpunimit rajonal me qëllim krijimin e kushteve që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendet e tyre”.
“Në këtë kuadër, vlerësojmë veçanërisht takimin e drejtorëve të agjencive kombëtare të punësimit, si një nismë që do të vazhdojë edhe në të ardhmen për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional në nivel rajonal”, nënvizoi Begaj.
Në fjalën e tij, Begaj vlerësoi edhe rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE.
“Shqipëria ka bërë përparim të ndjeshëm dhe të qëndrueshëm në udhëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Brenda një kohë të shkurtër kemi hapur 5 nga 6 grup- kapitujt negociues çka përbën një njohje konkrete të përpjekjeve tona për reforma, nga forcimi i institucioneve demokratike, tek pavarësia gjyqësorit, modernizmi i administratës publike, si dhe harmonizimi i politikave ekonomike me standardet e BE-së”, tha Begaj.
Begja u shpreh se “aspirata për t’u integruar në BE nuk është vetëm objektiv politik, por mision kombëtar”.
“Integrimi në BE gëzon mbështetjen e gjerë të shoqërisë shqiptare pasi pasqyron vlerat themelore të demokracisë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Këto vlera përbëjnë themelin e së ardhmes evropiane që Shqipëria po ndërton me vendosmëri. Shqipëria synon të përfundojë negociatat teknike deri në 2027 dhe të bëhet anëtare e plotë e BE-së deri në vitin 2030”, tha Begaj.
Presidenti Bajram Begaj në kuadër të këtij samiti mikpriti në Shqipëri udhëheqësit e vendeve anëtare të Procesit të Brdo-Brijuni-t së bashku me presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, dhe Presidentin e Kroacisë Zoran Milanoviç si vende bashkëkryesuese të procesit.
Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Serbia janë pjesë e Procesit të Brdo-Brijuni-t, iniciativë e vitit 2010 e Sllovenisë dhe Kroacisë, dy shtete anëtare të BE-së.