Ba974948 a6b7 4582 9361 673f8d2d9c66 696x464

Presidenti Bajram Begaj mori pjesë sot në seancën solemne që u zhvillua në Kuvendin e Kosovës, në nderim të 18-vjetorit të pavarësisë.

Në fjalën e rastit, Begaj u shpreh se Kosova sot ecën e sigurt drejt së ardhmes, pa harruar të shkuarën dhe sakrificat e bëra.

“Çdo familje shqiptare sot ndihet pjesë e festës, gëzimit dhe krenarisë. Sot është një ditë e madhe, Kosova mbush 18 vjeç. Në jetën e një njeriu kjo është mosha e pjekurisë, momenti kur ëndrrat e fëmijërisë marrin formën e përgjegjësinë”, tha Begaj.

Sipas tij, “Kosova është histori e jetuar suksesi që na bën krenarë, ne dhe partnerët”.

Begaj u shpreh se ata që dje udhëhoqën popullin drejt lirisë, po përballen në Hagë me akuza të montuara, duke na bërë të gjithë të ndjehemi të fyer.

“Mendimi ynë është me ata që dhanë jetën për liri, por edhe me ata që po përballen me një betejë të padrejtë në Hagë! Ata që dje udhëhoqën popullin drejt lirisë, po përballen në Hagë me akuza të montuara, duke na bërë të gjithë të ndjehemi të fyer”, tha ai.

Begaj u shpreh se Kosova e sotme është një shtet i ri në vite, por me rrënjë të thella sakrificash, kontributesh dhe meritash. “Nga mençuria dhe vizioni paqësor e largpamës i Presidentit Ibrahim Rugova, që i dha Kosovës miqtë, orientimin Euroatlantik dhe besimin në vlera, nga Adem Demaçi, që me sakrificën e tij për liri e bashkim u shndërrua në ndërgjegje kombëtare, te pushka, trimëria dhe heroizmi i Heroit tonë Kombëtar Adem Jashari, dhe lufta e drejtë çlirimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që i dha Kosovës lirinë, ky popull ka treguar se është qëndrestar dhe i pathyeshëm”.

Ai tha se Kosova është një histori e jetuar suksesi që bën krenar kombin tonë dhe të gjithë ata që luftuan dhe kontribuuan gjatë viteve e dekadave, por bën krenar, gjithashtu, edhe miqtë e partnerët tanë strategjikë, sidomos SHBA-në dhe bashkësinë perëndimore.  “Për herë të parë në histori, NATO përdori nenin e angazhimit duke parandaluar katastrofën humanitare, spastrimin etnik, gjenocidin dhe dëbimin kolektiv të qytetarëve të Kosovës, duke mundësuar rikthimin: rikthimin në shtëpitë e tyre, rikthimin në tokën e tyre, rikthimin në shtetin e tyre, rikthimin në familjen e vlerave evropiane”, kujtoi Begaj.

Më tej, Begaj tha se historia e Republikës së Kosovës nuk mund të kuptohet dhe as të shkruhet pa emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre. “Ata që dje udhëhoqën popullin drejt lirisë, sot po përballen padrejtësisht me akuza të montuara në Gjykatën Ndërkombëtare, duke na bërë të gjithëve të ndihemi të fyer, të paragjykuar dhe të akuzuar. Ata, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të gjithë të tjerët që morën armët për të kërkuar lirinë për atdheun e tyre, lirinë për familjet e tyre, tokën e tyre, gjuhën e tyre, të drejtat e tyre, janë siç kanë qenë e do të jenë gjithmonë kudo, kurdo e në çdo kohë: simbole të lirisë. Ata janë memorie shtetërore e kombëtare”.

Sipas tij, e vërteta nuk mund të tjetërsohet dhe historia nuk mund të rishkruhet e as ndryshohet, sepse liria ka emër, liria meriton respekt, lira meriton drejtësi, liria meriton mirënjohje.

Presidenti shtoi se Republika e Shqipërisë është me UÇK-në, me komandantët dhe ushtarët e UÇK-së, me qytetarët e Kosovës, me dhembjen dhe zemërimin e tyre. Shqipëria ka qëndruar pranë Kosovës, Shqipëria qëndron sot krah Kosovës dhe do të qëndrojë jetë e mot me Kosovën.

Gjithashtu, presidenti Begaj uroi që institucioneve te reja në përmbushjen e përgjegjësive shtetërore.

Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Kosovës është organike, vëllazërore dhe e shenjtë. Ne jemi një komb që rreh në dy shtete. Shqipëria është shtëpia juaj, ashtu si Kosova është shpirti ynë. Bashkëpunimi ynë në çdo fushë nuk është zgjedhje politike dhe as interes i përkohshëm, është detyrimi ynë ndaj brezave.

“Shqipëria dhe Kosova, krah për krah, ecin sot me të njëjtën busull drejt një hapësire ku vlerat e lirisë, demokracisë dhe paqes janë të pacenueshme. Ky 18-vjetor na rikujton se, ashtu siç ishim bashkë në ditët e vështira të mbijetesës, do të jemi bashkë edhe në tryezat e Brukselit, për të dëshmuar se shpirti i shqiptarit ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë e përjetësisht Euroatlantik. Shqiptarët në rajon, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Serbi kanë qenë dhe mbeten një faktor i rëndësishëm emancipues, integrues dhe evropianizues, si dhe kontribuues për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe begatinë në rajonin tonë, por edhe më gjerë”, theksoi Begaj.

Kreu i Shtetit deklaroi se nuk mund të ketë Evropë të plotë pa një Kosovë të barabartë mes të barabartëve.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights