Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, deklaroi sot se mirëqenia sociale është vetë forca e një kombi dhe theksoi se Shqipëria duhet të vijojë reformat për të garantuar shërbime sociale të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Në konferencën “Fondi Social 2026 – Garanci për qëndrueshmërinë e shërbimeve dhe mirëqenien e qytetarëve”, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Gonzato nënvizoi se mbrojtja sociale ka qenë në thelb të mbështetjes së BE-së që prej fillimit.
“Mirëqenia sociale është vetë forca e një kombi. Që në traktatet themeluese të BE-së theksohet se në hartimin dhe zbatimin e politikave të saj, Bashkimi Europian do të promovojë një nivel të lartë të mbrojtjes sociale, luftën kundër përjashtimit social, si dhe një nivel të lartë të arsimit, trajnimit dhe mbrojtjes së shëndetit publik”, u shpreh ambasadori.
Ai theksoi se këto parime promovohen edhe në arenën ndërkombëtare, shpesh në partneritet me Kombet e Bashkuara, dhe nuk është rastësi që aktiviteti u organizua në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe UNICEF-in.
Sipas tij, nëse niveli ndërkombëtar është i rëndësishëm për avokimin e politikave sociale, niveli vendor është thelbësor për zbatimin konkret të tyre.
“Udhëheqja në nivel vendor është thelbësore për të pasur mbrojtje sociale efektive dhe gjithëpërfshirëse, sepse jeni ju ata që qëndroni më pranë qytetarëve”, tha Gonzato.
Ambasadori solli në vëmendje zhvillimin e politikave sociale në BE, nga menaxhimi i krizës së euros te miratimi i Shtyllës Europiane të të Drejtave Sociale, me tre objektiva kryesorë: mundësi të barabarta, kushte të drejta pune dhe mbrojtje sociale.
Ai theksoi se deri në vitin 2030 synohet rritja e punësimit, fuqizimi i të mësuarit gjatë gjithë jetës dhe ulja e varfërisë dhe përjashtimit social.
Duke iu referuar Shqipërisë, Gonzato vlerësoi Strategjinë Kombëtare për Mbrojtjen Sociale 2024-2030, e cila synon trajtimin sistematik dhe konkret të varfërisë dhe cenueshmërisë.
Ai nënvizoi se Fondi Social i Shqipërisë, që funksionon prej shtatë vitesh, ka financuar mbi 70 shërbime dhe projekte, ndërsa BE ka qenë partner përgjatë gjithë këtij rrugëtimi.
“Mbështetja e BE-së për mbrojtjen sociale në Shqipëri është ndër më të lartat në Ballkanin Perëndimor. Ne po investojmë më shumë se 100 milionë euro përmes projekteve të BE-së për gjithëpërfshirjen sociale dhe punësimin. Këto plotësohen edhe nga 100 milionë euro të tjera në kuadër të Planit të Rritjes për zhvillimin e kapitalit njerëzor”, deklaroi ai.
Megjithatë, ambasadori theksoi se shifrat nuk janë të mjaftueshme pa ndikimin konkret në terren, duke sjellë shembuj të shërbimeve komunitare për fëmijë, të rinj dhe familje në nevojë.
“Mbështetja sociale në nivel komunitar ofrohet, për shembull, për një fëmijë 5-vjeçar në Cërrik që merr të gjitha shërbimet e nevojshme psikologjike; për një 18-vjeçare që përfiton fizioterapi; ndërkohë që një nënë me tre fëmijë ndjek trajnimet përkatëse për të gjetur një vend pune të përshtatshëm, ndërsa fëmijët e saj janë pjesë e një programi passhkollor. Këto nuk janë thjesht shifra, por jetë të ndryshuara”, u shpreh ai.
Gonzato bëri të ditur se BE ka mbështetur ministrinë për vendosjen e standardeve minimale të cilësisë dhe, së bashku me UNICEF-in, financimin e qëndrueshëm të shërbimeve për grupet vulnerabël.
Gjithashtu, 41 bashki janë mbështetur për hartimin e planeve vendore sociale.
Ai theksoi se reformat e nevojshme për anëtarësimin në BE sjellin ndryshime, por kërkojnë vullnet politik dhe burime të mjaftueshme financiare e njerëzore.
Ambasadori paraqiti disa rekomandime.
Së pari, u shpreh ai, duhet të vazhdojmë punën mbi shtyllat që tashmë ekzistojnë, duke kapitalizuar investimet e deritanishme të BE-së, në mënyrë që shërbimet të jenë më të qëndrueshme në kohë. Së dyti, vijoi ambasadori, në nivel qendror është thelbësore të fuqizohen më tej bashkitë, në mënyrë që të ofrohen më shumë shërbime sociale.
“Kjo kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet strukturave vendore dhe atyre qendrore. Gjithashtu, mendojmë se reformat territoriale mund të japin kontributin e tyre në këtë drejtim”, tha Gonzato.
Së treti, nënvizoi ambasadori, në nivel vendor duhen partneritete të forta me organizatat e shoqërisë civile. Këto partneritete po japin rezultate dhe do të jenë kritike për qëndrueshmërinë afatgjatë të shërbimeve.
“Në të gjitha nivelet, transparenca dhe llogaridhënia duhet të qëndrojnë në thelb të politikave. Ndërsa Shqipëria ecën drejt BE-së, duhet të ketë sisteme të drejta dhe transparente, veçanërisht duke pasur parasysh angazhimin e ardhshëm të Fondit Social Shqiptar me Fondin Social Europian. Kjo kërkon harmonizim të mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së dhe standardet përkatëse, përfshirë rishikimin e ligjit për kujdesin social për të parë çfarë funksionon dhe çfarë jo. Është gjithashtu një mundësi për të forcuar mbledhjen e të dhënave dhe për të ndërtuar politika të bazuara në fakte, një element i rëndësishëm në kuadër të negociatave për anëtarësim, veçanërisht sipas Kapitullit 19 të legjislacionit të BE-së”, shtoi ai.
Sipas Gonzatos, Shqipëria mund të frymëzohet edhe nga debatet që zhvillohen në BE, përfshirë strategjinë e BE-së kundër varfërisë, e cila vendos në fokus fëmijët dhe personat e moshuar.
“Duhet të përqendrohemi te zbatimi. Harmonizimi i legjislacionit me atë të BE-së është i rëndësishëm, por nuk mjafton vetëm miratimi i ligjeve, kërkohet zbatim efektiv, që nënkupton buxhete të mjaftueshme, burime të duhura njerëzore dhe sisteme të forta të përkujdesjes. Anëtarësimi në BE nuk është thjesht përmbushje e kritereve ekonomike. Ai do të thotë të krijojmë një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe të drejtë, që di t’u bëjë ballë sfidave dhe ku askush nuk mbetet pas. BE do të mbetet partner i angazhuar për të mbështetur Shqipërinë në çdo hap drejt anëtarësimit”, u shpreh ambasadori.
