Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, njoftoi se tarifat e reja doganore të SHBA-ve do të hyjnë në fuqi më 1 gusht, nëse nuk arrihen marrëveshje tregtare me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, Tajvanin dhe vende të tjera.
Në një intervistë për CNN, Bessent theksoi se tarifat do të rikthehen në nivelet e larta të shpallura nga presidenti Donald Trump më 2 prill, përpara se të pezulloheshin për të lejuar negociatat. Fillimisht, u vendos një afat për më 9 korrik, por sipas Trump-it, tarifat do të nisin automatikisht më 1 gusht, nëse nuk mbyllen marrëveshjet.
“Tarifat nuk janë më kërcënim, ato janë realitet. Nëse doni të shmangni kostot, lëvizni shpejt”, tha Bessent.
Ai konfirmoi se Trump kishte firmosur 12 letra që njoftojnë vendet për tarifat e reja, të cilat pritet të dërgohen të hënën.
SHBA-të tashmë kanë arritur marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar dhe Vietnamin, ndërsa me Kinën është arritur një ulje e përkohshme e tarifave. Bessent shtoi se janë afër edhe me disa vende të tjera, pa dhënë detaje.
Ndërkohë, negociatat me BE-në po zhvillohen gjatë fundjavës. Ministri francez i Financave shprehu shpresën se një marrëveshje mund të arrihet së shpejti. Por jo të gjithë janë të gatshëm të bëjnë lëshime. kryeministri japonez Shigeru Ishiba tha se “nuk do të bëjë kompromise të lehta”.
Nga samiti i BRICS në Rio de Janeiro, liderët e vendeve në zhvillim shprehën “shqetësime serioze” për tarifat që i quajtën “të paarsyeshme” dhe të rrezikshme për tregtinë globale.
I pyetur për ndikimin e mundshëm në inflacionin amerikan, Bessent u shpreh se nuk pritet një rritje e përgjithshme e çmimeve.
“Ky nuk është inflacion, por një rregullim i përkohshëm i çmimeve. Deri tani, as këtë nuk e kemi parë”