Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, së bashku me deputeten Jorida Tabaku, zhvilluan një takim në ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë, me ministrin e Shtetit për Evropën, Gunther Krischbaum.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi nënvizoi se Gjermania mbetet një aleate e fortë e Shqipërisë evropiane.
Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen, por theksoi se “përgjegjësia për të çuar vendin përpara është e jona”.
“E thamë qartë: shqiptarët e duan Evropën, por qeveria po e largon Shqipërinë prej saj. Integrimi në BE nuk është propagandë, por standarde dhe meritë. Dhe sot, këto standarde po shkelen. Barazia përpara ligjit po shkelet dhe korrupsioni po merret në mbrojtje politikisht”, nënvizoi Bardhi.
Sipas tij, “ka një hendek të madh mes asaj që duan qytetarët dhe asaj që po bën qeveria. Në vend të reformave reale, kemi hapa pas, korrupsion dhe pengim të drejtësisë”.
“Shqipëria mundet për më shumë. Dhe duhet ta bëjmë të gjithë bashkë realitet”, theksoi Bardhi.
