Kuvendi u përfshi në debat në nisje të seancës plenare lidhur me raportet për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për autorizimin e heqjes së imunitetit të deputetes Belinda Balluku.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se më 23 shkurt Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet ka përfunduar shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila kërkon autorizim për heqjen e lirisë ndaj deputetes Balluku.
Sipas Bardhit, në përputhje me afatet, pesë anëtarë të këshillit kanë depozituar raportin për shqyrtim në seancë plenare, pasi në mbledhjen e zhvilluar nuk pati një qëndrim të përbashkët.
Ai u shpreh se, sipas pikës 3 të nenit 118 të rregullores, kryetari i Kuvendit është i detyruar ta përfshijë raportin në rendin e ditës të seancës më të parë plenare.
“Raporti është dorëzuar të hënën dhe seanca e parë është ajo e sotmja. Në rendin e ditës që ju lexuat nuk është përfshirë shqyrtimi i kësaj kërkese, në kundërshtim me çdo praktikë parlamentare”, tha Bardhi.
Ai shtoi se procedura po zvarritet dhe se, sipas tij, kjo po çon çështjen drejt kufijve të afatit tremujor, duke penguar hetimet e prokurorisë
