Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, ka postuar sot në rrjetin social Facebook pamje nga qendra e votimit në Njësinë Administrative Dushk në Bashkinë Lushnje, që sipas tij, vërtetojnë se sistemi i videomonitorimit u nxor qëllimisht jashtë funksionit.
Bardhi tha se megjithëse KQZ shpenzoi 5 milionë euro nga paratë e qytetarëve shqiptarë për vënien në punë të sistemit të videomonitorimit, PD ka evidentuar shkelje të rënda të procesit të votimit dhe haptazi krime të shumëfishta elektorale, të cilat janë bërë apo do të bëhen publike këto ditë.
“Në rastin më poshtë konstatohet sesi një patronazhiste e PS, e kamufluar si punonjëse e KQZ, është shndërruar në terroriste elektorale, duke shpërdoruar detyrën dhe duke prishur haptazi sistemin e videomonitorimit.
Në QV 2817, njësia administrative Dushk, Bashkia Lushnjë, vetëm 2 orë pasi ka filluar procesi i votimit dhe ku janë regjistruar shkelje të shumta, punonjësja e KQZ prish sistemin e videomonitorimit, duke ndryshuar dhe pozicionuar kamerën në këndin e ambienteve të jashtme të QV. Ky është një krim elektoral dhe KQZ ka detyrimin ta identifikojë punonjësen e vet dhe ta mbajë përgjegjëse penalisht për shpërdorimin e detyrës”, shkruan Bardhi.