Një delegacion i Kuvendit të Shqipërisë i përbërë nga deputetë të mazhorancës dhe opozitës zhvilloi takime në Komisionin për Çështjet Europiane dhe në Komisionin për të Drejtat e Njeriut në Bundestagun gjerman.
Duke informuar mbi këto takime, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi theksoi se Gjermania e mbështet fuqishëm integrimin e Shqipërisë në BE, bazuar në meritë.
“Ne i jemi falënderues për të gjithë ndihmën e dhënë deri më tani dhe e vlerësuam shumë faktin që anëtarët e Komisionit për Çështjet Europiane ishin të informuar plotësisht mbi zhvillimet në Shqipëri”, u shpreh Bardhi.
Fokusi i interesit dhe i pyetjeve të deputetëve të Bundestagut, sipas tij, “ishin çështje themelore, si: shteti ligjor dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar, pengimi i drejtësisë në rastin e Belinda Ballukut, zhvillimi ekonomik i vendit, barazia gjinore dhe të drejtat e njeriut, qasja e re Rama–Vuçiç mbi integrimin, si dhe linjëzimi i politikës së jashtme të Shqipërisë me BE-në”.
“Së bashku me deputeten Jorida Tabaku, që përfaqësonim opozitën, ritheksuam se Qeveria shqiptare, në vend që të sigurojë standardet, po bën hapa pas që e largojnë Shqipërinë nga BE-ja. Korrupsioni dhe mungesa e barazisë para ligjit vijojnë të jenë pengesa serioze. Nuk ka plan B. Ka vetëm një rrugë: Europën me standarde reale”, u shpreh Bardhi.
