Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike Gazment Bardhi reagoi sot pas miratimit në Kuvend të programit të ri qeverisës dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale Bardhi tha se “kjo që ndodhi sot në parlament ndodh çdo ditë në Shqipëri: njerëzit drejtohen me arbitraritet, me arrogancë, me padrejtësi”.
Bardhi u ndal tek risia e qeverisë, ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificale, për të cilën tha se “është fantazi propagandistike dhe se korrupsioni dhe krimi i organizuar është realitet”.
Sipas Bardhit Diella nuk është vizion, por fasada virtuale për të fshehur vjedhjet e përditshme gjigande të kësaj qeverie.
“Diella është propaganda e paketuar në 3D. Diella nuk është ministër kundër korrupsionit. Diella është shërbëtore e korrupsionit, në versionin virtual”, tha Bardhi.
Bardhi kishte edhe një mesazh për partnerët e Shqipërisë.
“Ne e dimë që në Shqipëri nuk ka një qeveri të zgjedhur nga vota reale e shqiptarëve. Evropianët e dinë. Të gjithë e dimë. Por loja vazhdon. Dhe ky është shkatërrimi i vertetë i demokracisë”, tha Bardhi.
Më tej Bardhi nënvizoi se Shqipëria merion “Evropën e vërtetë, jo kompromiset gjysmake të burokratëve, që heshtin kur Parlamenti dhe Kushtetuta në Shqipëri përdhosen në mes të Evropës”.
Kuvendi i Shqipërisë votoi sot me 82 vota pro programin qeverisës dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave për katër vitet e ardhshme.
Seanca zgjati vetëm 25 minuta, pasi opozita bllokoi foltoren dhe nuk lejoi vijimin e prezantimit të programit qeverisës nga kryeministri Edi Rama. Po ashtu, deputetë të opozitës hodhën Librin e Kushtetutës dhe sende të tjera në drejtim të kryeministrit dhe të anëtarëve të qeverisë. Shkak i tensioneve ishte kundërshtia e opozitës për emërimin e Diellës si ministre për Inteligjencën Artificiale. Mazhoranca nga krahu tjetër kërkoi kalimin në proces votimi. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi hodhi në votim programin qeverisës dhe përbërjen e Këshillit të minitrave, që votua me 82 vota mazhoranca, teksa opozita abstenoi.