Banorët e Bërxullës protestojnë sot para Kryeministrisë, ndërsa kundërshtojnë projektin për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar.
Ata njëzëri me tonë të forta janë shprehur kundër shembjes së banesave të tyre.
Sipas tyre bëhet fjalë për 50 banesa që preken nga ky projekt si dhe 30 hektarë tokë.
Po ashtu ata pohojnë se nëse ndodh të rimbursohen, duhet të bëhet sipas ligjit.
“S’po na zë gjumi, dalim e punojmë për të jetuar. Do i qëndrojmë dhe do mbrojmë poronën tonë deri në minutën e fundit.
Nuk jemi kundër projektit, por jo këto shpronësime.
S’kam ardhur të shaj Ramën, por dua t’i jap dhe dorën për një vepër të mirë qe bëri në Bërxullë, pasi e bëri të re, edhe pse s’ka ndriçim.
Eja në Bërxullë! Kanë nisur në Fushë-Prezë punimet. Në Bërxullë nuk është lejuar.
Me më dhënë miliona, nuk e jap atë shtëpi. Të jap dorën Edi Rama, por jo me prurë fadroma.
S’duam të zaptohet toka.”, tha një prej protestuesve.
Kryeplaku i fshatit gjithashtu ka thënë se projekti është manipuluar.
“Nuk ka asnjë leje ndërtimi të dhënë për këtë segment rruge, këtë përgjigje na kanë dhënë.
Ndërsa Bashkia e Vorës na thotë kërkesën ia kemi dorëzuar institucioneve përkatëse, por se kush janë këto institucione nuk e morëm vesh.
Unë që jam kryeplak fshati nuk kam asnjë dijeni edhe pse kemi dëgjuar në zonë para 5 vitesh që do zhvillohet një rrugë në këtë segment.
Por para 4 vitesh kam kërkuar projekt rruge, por më është thënë që nuk ka projekt sepse ata i ndërrojnë projektet si duan.
Sot aktualisht preken 20 banesa/
Në fshatin tonë shkojnë edhe 70 banesa që preken. Si i bëri këto devijimi shteti…
E çoi dhe e përplasi tek fshatarët pa i vënë në dijeni…
Ne na kanë shitur tek koncensionari duke manipuluar dhe duke gjetur hallexhiut e shkretë dhe duke i bërë kontrata abuzive i çojnë në noter natën në shtëpi”, tha kryeplaku.

