900 0 1756893504x3 shtator lajme ora 1100 cl frame 38159 423

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, e konsideron të mbyllur fazën e parë të reformës për sektorin e furnizimit me ujë. Ajo theksoi se po hedhin hapat e parë drejt fazës së dytë, me synimin për të krijuar një Operator Kombëtar të prodhimit dhe shpërndarjes së ujit (OPU), që sipas kryeministrit Rama, do jetë gati në janar të vitit që po vjen.

Ministrja Balluku shpjegoi sot, më 3 shtator, se si do funksionojë OPU.

Faza e parë u mbyll me sukses

Zëvendëskryeministrja Balluku, u shpreh se faza e parë e fragmentimit të 58 ndërmarrjeve në vend ka përfunduar, pavarësisht vështirësive të hasura.

“Unë nuk do desha që të përsëris sa i përket situatës që ne kemi gjetur sektorin e ujësjellësit kanalizime duke nisur nga viti 2013. Edhe prezantimi që do të ndjekë ndërkohë tregon një krahasim që ne kemi marrë me vitin 2020 si viti i fundit kur ne nisëm të ngjizim, e më pas të implementonim një reformë, e cila ka përmbyllur fazën e saj të parë“, tha ajo.

Si do funksionojë OPU

“Duke ndarë njëherë e mirë përgjegjësinë mes prodhuesit, shpërndarësit dhe në të ardhmen dhe furnizuesit. Në fazeën e dytë do qëndrojmë në ndarjen në dy komponentet, prodhim dhe shpëndarje dhe në janar 2027 do ndahet shpërndarësi te kompanitë e shpërndarësit dhe furnizuesit.”

U ndal te disa të dhëna të rëndësishme, sa i takon numrit të burimeve që kemi në vend.

“Kemi 1 175 sisteme ujësjellësi me 1602 burime të ujit të pijshëm”, tha Balluku.

“584 janë burime malore, kemi 589 sisteme pompimi dhe 584 sisteme gravitacionale. Të gjitha zonat që janë të furnizuara me sisteme pompimi siç është Durrësi, janë ndërmarrjet me koston më të lartë”, shtoi më tej.

Struktura e Operatorit të Prodhimit të ujit OPU, do të mbështetet në organizim rajonal për ndarjen hidrologjike në katër rajone.

Krijimi i tyre sjell optimizim të aseteve tona dhe të fuqisë ose burimeve njerëzore, duke përdorur kapacitetet që kemi për Shkodrën, Vlorë apo Gjirokastër”, tha ministrja.

Sipas saj, OPU do shërbejë si garantor i monitorimit teknik dhe laboratorik të rrjetit.

Shtoi se do ketë Qendrën e tij të Prodhimit, duke ulur kështu numrin e angazhimit të personave në këto procese.

Menaxhimi do bëhet nga një qendër e teknologjisë së lartë

Sipas Ballukut, menaxhimi i sistemit të shpërndarjes dhe prodhimit të ujit nuk do të realizohet më në 58 ndërmarrje bashkiake apo 15 të agreguara, por do të përqendrohet në katër zona rajonale të menaxhuara nga një qendër e teknologjisë së lartë. Kjo qendër do të përfshijë katër komponentë kryesorë: sistemin SCADA, sigurinë kibernetike, kontrollin e burimit deri te rubineti dhe rrjetin e fibrave optike që do të shoqërojë çdo investim të ardhshëm.

“Do të shënojë një përshpejtim të modernizimi teknologjik, i cili sigurisht nuk do të bëhet në 58 ndërmarrje bashkiake. Më i vështiri për t’u bërë në 15 ndërmarrje të agraguara, por shumë më i lehtë për t’u bërë në katër zona rajonale të cilat do të menaxhohen nga një qendër e teknologjisë së lartë, që do të ketë katër komponentë kryesorë që kanë të bëjnë me menaxhimin SCADA, me Cyber Security, që kur e themi çfarë ndodh me Cyber Security në sistemin e shpërndarjes apo të prodhimit të ujit. Sigurisht, është më i nevojshëm se të gjitha sistemet e tjera me thënë të drejtën, pasi flasim për sigurinë për sigurinë e një produkti që shpërndahet në çdo shtëpi e duhet të ishte i kontrolluar nga burimi deri tek rubinetë. E kjo, bëhet përmes të gjitha fibrave optike që do shoqërojnë të gjitha investimet prej këtej e tutje.“, tha ministrja.

Ajo shtoi se synimi është të kthejnë Shqipërinë në një vend turistik në 12 muaj. E gjitha kjo, sipas Ballukut do të japë mundësi, “që të kemi zhvillime të herëpashershme bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare me të gjithë ata partnerë që ne bashkëpunojmë”.

Nuk ka nevojë për ndryshime ligjore

Një tjetër informacion që vlen të përmendet është se nuk parashikohen ndryshime ligjore. Sipas zëvendëskryeministres Balluku, ligji e parashikon krijimin e operatorit të ri të ujit.

“Do ndaloja vetëm në një moment në kuadrin rregullator, që nuk do të jetë e nevojshme të kemi ndryshime ligjore pasi është e parashikuar në ligjin për menaxhimin e sektorëve që ne të kemi mundësinë e krijimit të një operatori për prodhimin e ujit. Sigurisht në respektim të plotë të autonomisë vendore, ashtu siç i kemi pasur në krah partnerët bashkitë në fazën e parë të kësaj reforme, duke qëndruar me 49% të aksioneve.”, tha Balluku.

56 zona urbane dhe 98 zona rurale që furnizohen 24 orë rresht me ujë të pijshëm

Po ashtu ministrja ka zbuluar të dhënat lidhur me furnizimin me ujë të pijshëm, nga viti 2013 deri më sot.

Gjatë fjalës së saj, Balluku tha se në krahasim me vitin 2013 kur kishte vetëm 4 zona urbane që furnizoheshin 24 orë me ujë të pijshëm, sot kemi 56 të tilla. Si dhe 98 zona rurale që furnizohen 24 orë me ujë të pijshëm.

“Do desha edhe një herë që të kujtonim dhe të kalonim me shifra se si ka qenë situata. Në vitin 2013 furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë ka qenë vetëm në 4 zona urbane. Sot kemi 43 zona urbane të furnizuara me ujë në 24 orë dhe kemi 13 kantiere, duke e çuar në 56 zona urbane me furnizim 24 orë.

Sot kemi 98 zona rurale me furnizim 24 orë dhe nga ana tjetër kemi 45 kantiere urbane të cilat janë duke u përfunduar. Na mbeten 16 zona dhe kur po bënim prezantimin strisha thoshte 100% por kërkova shifrën e saktë sepse do thonin që po bëjmë premtim. Pra kemi edhe 16 zona urbane për të përfunduar të gjithë këtë process të gjatë.”, përfundoi ministrja Balluku.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights