Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka dhënë një mesazh të fortë gjatë firmosjes së marrëveshjes me Universitetin Politeknik të Tiranës, duke theksuar rëndësinë e praktikave profesionale për studentët dhe përgatitjen e tyre për tregun e punës. Sipas saj, firmosja e kësaj marrëveshje të re është e rëndësishme për integrimin e vendit në BE.
“Një muaj të mbarë, se ky është muaji juaj, tetori, fillimi i një viti të ri shkollor për ju, me plot shpresa për të ardhmen, që këtë vit përkon me një iniciativë të re, pjesë e Paktit për Universitetin.
Që Ministria dhe Universiteti i Tiranës kanë bashkëpunuar ngushtë, nga suporti dhe nga praktikat që janë zhvilluar, duke akomoduar mjaft studentë. Për ngritjen e një kapitali njerëzor që do t’i përgjigjet kërkesave të integrimit në BE. Industria e rëndë që përfshin transportin dhe minierat, sot më shumë se kurrë ka një kërkesë të jashtëzakonshme për burime njerëzore, të cilat duhet të jenë jo thjesht të gatshme për të përballuar të gjitha sfidat, por edhe të jenë të trajnuara sipas kritereve të BE-së.
Pa të rinj të trajnuar e të arsimuar, çdo reformë mbetet e mangët.
Për ata që do të jenë specialistët e transportit dhe aviacionit, që do të udhëheqin Shqipërinë, për këtë arsye kemi hartuar një program qeverisës që vendos njeriun në qendër.
Brenda këtij mandati paga mesatare do të arrijë një mijë euro. Por nuk mjafton vetëm paga.”, tha Balluku.
Aviacioni, bëhet pjesë e kurrikulës universitare
Më tej gjatë fjalës së saj, ministrja Balluku njoftoi përfshirjen e aviacionit dhe navigimit në një kurrikul të përhershme universitare, duke e konsideruar këtë si një hap drejt përafrimit të arsimit me zhvillimet teknologjike.
“Do të diskutojmë si ta kthejmë aviacionin dhe navigimin në një kurrikul permanente të universitetit,” – tha Balluku.
Ministrja vuri theksin edhe te rëndësia e inovacionit, si pjesë e domosdoshme në çdo fushë të zhvillimit, por theksoi se nuk mund të zëvendësojë kapitalin njerëzor.
“Inovacioni duhet të jetë prezent, por ai nuk zëvendëson në asnjë rast kapitalin njerëzor”, u shpreh Balluku.
Kamera në të gjitha akset rrugore nga 2026-ta
Ajo përmendi dhe zhvillimet e pritshme në trafikun rrugor, duke deklaruar se që nga viti 2026 do të hyjnë në funksion kamera inteligjente në të gjitha akset kombëtare, për monitorimin dhe menaxhimin më të mirë të qarkullimit.
“Trafiku rrugor, duke nisur nga 2026, do të lulëzojë përmes kamerave inteligjente që do ndihmojnë procesin në të gjitha akset kombëtare”, shtoi ajo.
Ministrja përmendi edhe rritjen e numrit të fluturimeve dhe pasagjerëve në aeroportin e Rinasit, duke e cilësuar si një arsye shtesë pse sektori i aviacionit duhet të fuqizohet përmes edukimit dhe teknologjisë.
“Rinasi ka arritur në 53 mijë pasagjerë në ditë. Kjo kërkon më shumë teknologji, por mbi të gjitha më shumë njerëz të përgatitur”, tha ajo.
Në fund, Balluku iu drejtua studentëve me një thirrje për të aplikuar në pozicionet e lira të punës në sektorin publik dhe ndërmarrjet në varësi të Ministrisë.
“I bëj thirrje të gjithë djemve dhe vajzave që janë në vitin e fundit të aplikojnë pranë Alpetrol dhe ndërmarrjeve të tjera nën Ministri. Duam të rinj, të përgatitur dhe të gatshëm për të ndërtuar një Shqipëri më të fortë dhe moderne”.
Praktika të paguara për studentët
Marrëveshja e firmosur sot parashikon praktika të paguara të punës së studentëve, me qëllim aftësimin e tyre profesional. Po kështu, ky bashkëpunim parashikon njohjen nga afër në terren të gjitha proceset e zhvillimit të infrastrukturës.
“Sot ne çelim një tjetër dritare për të rinjtë, që vazhdojmë bashkëpunimin e rëndësishëm me Universitetin Politeknik të Tiranës. Kjo është në kuadër të paktit me universitetin dhe do të vazhdojë me të njëjtin ritëm. Marrëveshja që nënshkruajmë sot mes Energjisë dhe Infrastrukturës dhe Universitetit Politeknik të Tiranës, shënon fillimin e një nisme të re, që këtë radhë lidhet me një tjetër ndërmarrje, institucion të rëndësishëm në Republikën e Shqipërisë, që është Autoriteti Rrugor Shqiptar”, tha ajo.
Banka Botërore është financuese kryesore e këtij projekti. Sakaq, zë të rëndësishëm i jepet barazisë gjinore në këto sektorë. Për këtë, Balluku siguroi se ka shumë vajza dhe gra që kontribuojnë.
“Ka edhe një element tjetër ky bashkëpunim, barazinë gjinore. Banka Botërore, e cila është financuese e këtij programi, e ka një nga komponentët më të rëndësishëm barazinë gjinore. Tek flisnim me rektorin, por edhe tek komunikonim me zyrtarët e Bankës Botërore këtu, ne i shpjeguam që në industrinë e rëndë, transport, apo energji, në Shqipëri, ka shumë gra dhe vajza që kontribuojnë”, tha zëvendëskryeministrja Balluku.
Këto deklarata Balluku i bëri sot gjatë firmosjes së një marrëveshjeje mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Universitetit Politeknik të Tiranës. Marrëveshja e firmosur sot lidhet pikërisht me përgatitjen e studentëve përmes praktikave të paguara të punës, me qëllim aftësimin e tyre profesional, si dhe njohjen nga afër në terren me të gjitha proceset e zhvillimit të infrastrukturës.