Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ngriti shqetësime për situatën e sigurisë në vend gjatë një interpelance me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, të kërkuar nga një grup deputetësh të opozitës.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balliu deklaroi se “aktualisht Policia e Shtetit nuk garanton sigurinë e qytetarëve”. Ai theksoi se, megjithëse ka efektivë të ndershëm dhe të përkushtuar në luftën kundër krimit, fenomeni i inkriminimit mbetet shqetësues.
“Ka individë të ndërgjegjshëm brenda policisë që bëjnë detyrën, por lufta jonë është për të mbrojtur qytetarët dhe vendin”, u shpreh Balliu.
Deputeti i opozitës shtoi se lidhjet e pretenduara mes elementëve të policisë dhe krimit nuk janë thjesht akuza politike, por një problem i njohur gjerësisht. Ai ngriti shqetësimin se kjo situatë cenon si sigurinë publike, ashtu edhe atë kombëtare.
Balliu deklaroi më tej se Policia e Shtetit është e ekspozuar ndaj korrupsionit dhe ndikimit të krimit të organizuar, ndërsa procesi i vetingut, sipas tij, në disa raste nuk po jep rezultatet e pritshme.
Duke iu referuar raporteve ndërkombëtare, ai vuri në dukje se ato evidentojnë rritje të aktivitetit kriminal dhe të trafikut të drogës, duke e lidhur këtë me nivelin e korrupsionit.
