Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se mocioni me debat i opozitës dhe Kryeministrit Edi Rama për çështjen McGonigal do të zhvillohet në një nga të enjtet e ardhshme.
Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, Balla tha se “në përfundim të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve të martën e kaluar kemi miratuar zhvillimin e mbledhjes me debat brenda 30 ditëve nga dita e depozitimit, që të zhvillohet mocioni me debat duhet që bashkë me kryetarët e grupeve Alibeaj, Doda e Mediu të përcaktojmë modalitetet sikurse e përcakton rregullorja e Kuvendit.
Unë kam propozuar 12 orë, fillon në 10 të mëngjesit e mbaron në 10 të darkës, koha e ndarë proporcionalisht ku çdo deputet të ketë 5 minuta dhe na duhet të biem dakord për datën. Në një nga të enjtet që vijnë ta zhvillojmë këtë debat, por duhet këtë ta diskutojmë me kryetarët e grupeve”.
“Ndoshta sot gjatë zhvillimit të seancës do t’i kërkoj kryetarëve të grupeve të opozitës të biem dakord e të diskutojmë për këtë çështje”, tha Balla.
Pyetjes nëse Rama do të jetë në seancën e sotme, Balla tha se “sot Shqipëria mikpret një mik të rëndësishëm që viziton Shqipërinë. Kryeministri i landit të Bavarisë ka një axhendë të paracaktuar. Ju e dini që seanca e ditës së sotme ka të bëjë me kohën që u jepet deputetëve. Deputetët sjellin shqetësimet që sjellin nga zgjedhësit”.
Më tej, Balla foli edhe për kërkesën e opozitës për kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla.
“Ka pasur një kërkesë qesharake nga ana e deputetëve të opozitës lidhur me pretendimin se në ushtrimin e detyrës së saj, kryetarja e Kuvendit Lindita paska kryer shkelje të rregullores dhe Kushtetutës. Këshilli i Legjislacionit e ka bërë verifikimin dhe raporti është gati ku konkludohet se kryetarja e Kuvendit ka respektuar gërmë për gërmë rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën dhe për pasojë në seancën e datës 16, Kuvendi duhet të votojë kërkesën ku grupi parlamentar i PS-së në mënyrë unanime do të votojë kundër kësaj kërkese”, nënvizoi Balla.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së tha se “ju e dini që Shqipëria ka ca tradita dhe pas dështimit të protestës e revolucionit të ditës së shtunë, në Shqipëri në këto raste bëhen edhe të tretat. Nuk e di për çfarë arsye duhet protestuar tek Kuvendi, apo meqë revolucioni ia doli ditën e shtunë dhe rrëzoi regjimin”.
Duke folur për përjashtimin e deputetëve të opozitës për 10 ditë, Balla tha se “në rast se bllokohet foltorja rregullorja është e qartë deputeti duhet të përjashtohet nga punimet për 10 ditë. Rregulloja në nenin 64 e 65 shprehet shumë qartë e thotë “Kur një deputet pengon zhvillimin e seancës kryetari bën përjashtimin për një seancë, sekretariati bën përjashtimin për 10 ditë.