Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, njëkohësisht drejtuesi politik i qarkut Fier, Taulant Balla në një takim me të rinjtë në Lushnjë, bëri thirrje që ta ndërtojnë Europën këtu në atdheun e tyre.
Balla u kërkoi të rinjve ta shohin politikën si një instrument të domosdoshëm për t’u përfshirë në vendimmarrje.
“Çdo i ri dhe e re duhet ta shohë politikën si një instrument të domosdoshëm dhe të pazëvendësueshëm për t’u përfshirë në vendimmarrje. Është e thjeshtë të thuash kjo apo ajo s’bën, ose kjo duhet ndryshuar, pa thënë si mund të bëhet më mirë. Nëse ke një ide për të ndryshuar gjërat në universitet, në komunitet, apo në qytetin tënd duhet të bëhesh pjesë e vendimmarrjes, mjaft më me atë shprehjen “s’dua të përfshihem””, tha ai.
Balla theksoi se, Partia Socialiste mbetet gjithmonë partia më e hapur dhe më mbështetëse ndaj të rinjve, të cilët shohin sot tek ne të vetmen fuqi transformimi.
“Për ne shqiptarët dielli lind andej nga perëndon, por mos harroni duhet të vazhdojmë ta ndërtojmë Europën këtu në atdheun tonë”, theksoi Balla.

