Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh sot në Kuvend se opozita nuk është ende e qartë lidhur me pjesëmarrjen ose jo në komisionin e posaçëm të reformës administrativo-territoriale.
Opozita kundërshtoi përfshirjen në rendin e ditës të seancës së sotme plenare të projektvendimit për ndryshimin e përbërjes së komisionit të posaçëm të reformës territoriale.
Duke iu përgjigjur deputetëve të opozitës, Balla tha se mazhoranca është e gatshme të presë deri në mbrëmje, kur edhe do të votohet, për një vendim nëse do të marrin apo jo pjesë rregullisht në mbledhjet e komisionit.
Balla kërkoi qartësi dhe përgjegjësi institucionale nga opozita, ndërsa u shpreh se shumë vendime të opozitës i kanë mësuar përmes medias.
Sipas tij, opozita ka ndryshuar qëndrim brenda një dite, duke lënë të paqartë nëse është tërhequr apo jo nga bojkoti i komisionit.
“Mbrëmë mësuam nga media se ju jeni tërhequr nga bojkoti i komisionit të posaçëm të reformës administrativo-territoriale. Sot thoni se jeni tërhequr nga ajo që keni vendosur dje, pra se nuk jeni tërhequr nga bojkoti. Jeni aq kakofonistë sa për një çështje çoheni dy veta, ndërkohë që minimalisht duhet të flasë njëri në emër të grupit. Tani jeni shpartalluar”, iu drejtua Balla deputetëve të opozitës. Ai ironizoi komunikimin e brendshëm të PD-së, duke thënë se edhe vetë deputetët socialistë janë detyruar të informohen përmes medieve dhe gazetarëve për vendimet e opozitës.
Balla i kërkoi opozitës të japë një përgjigje përfundimtare nëse do të marrë pjesë rregullisht në mbledhjet e komisionit, duke theksuar se pa praninë e nevojshme të anëtarëve, komisioni nuk mund të funksionojë normalisht.
