Në Elbasan po vijojnë me ritme të larta punimet për automotoparkun, i cili do t’i japë zhvillim ekonomik qytetit, por edhe Shqipërisë së Mesme.
Aktualisht janë 7 kantierë në të cilët po punohet paralelisht, në funksion të Automotoparkut në Krastë.
Kryetari i bashkisë Gledian Llatja së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), Blendi Gonxhja, kanë inspektuar punimet, të cilat vijojnë me ritme të larta sipas planit të ri në pritat lumore, gërmimet për tombinot e kolektorët, nënkalimin e rrugës që lidhin qytetin me zonën e AMP, si edhe gjurmën e shëtitores 2,1 km përgjatë lumit Shkumbin.
Kryebashkiaku Llatja i ka prezantuar me detaje ecurinë e punimeve drejtorit të DPSHTRR, ndërsa ka pohuar se “është një zonë që ka qenë gjithmonë një zonë periferike e qytetit e lënë pas dore, me një potencial të madh sepse është afër lumit. Sot me investimin e madh që kemi bërë me pritat lumore arrijmë një siguri të madhe. Puna po ecën shumë mirë, ka marrë formën e saj gjurma, është një punë titanike që po bëhet”.
Llatja shtoi se “ tashmë ka mbaruar segment i i parë, segmenti jashtë automotoparkut, ai i pritës lumore”.
Duke vlerësuar këtë investim të madh për Elbasanin, kryebashkiaku Llatja është ndalur edhe tek skeptikët.
“Ka nga ata njerëz që nuk kanë dashur zhvillimin e qytetit, duke u përfshirë në rutinën e ditës, por unë nuk e kam parë kurrë qytetin pa zhvillim ekonomik. Edhe pse kemi probleme në zonat informale, probleme të tjera, por ne kemi nisur me ritme galopante, ndaj ka qenë e pabesueshme për njerëzit ta kuptonin se çfarë zhvillimi do të sjellë kjo zonë. Sipër pritës lumore do të bëhet shëtitorja, ky është fillimi i pritës lumore. Kjo pritë lumore na siguron totalisht infrastrukturën e brendshme, Drejtorinë e re të targave dhe patentave, e cila do të jetë një gjë krejt e re me teknologjinë e fjalës së fundit të shkencës”, nënvizoi Llatja.
Nga ana e tij, drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), Blendi Gonxhja pasi ka vlerësuar ecurinë e punimeve e vuri theksin tek zhvillimi, që do të sjellë ky investim i madh në Elbasan dhe jo vetëm.
“Automotoparku i shërben Elbasanit, por edhe të gjithë Shqipërisë së Mesme. Do të jetë një qendër e madhe e kalimit të kohës gjatë fundjavës, jo vetëm për evenimentet sportive, por edhe për kulturë, panaire, kurse profesionale, një qendër, e cila do të përcjellë aq shumë lëvizje në pjesën formuese e kreative, kjo qendër do të gjenerojë një qasje të re të kodit rrugor, së afërmi. Do të përgatiten drejtuesit e mjeteve për të kaluar në kurse formative e edukative, pasi marrin patentën. Një nga eksperiencat e shkëlqyera është në Austri, ata që kanë konceptuar dhe janë marrë me pjesën rrugore në Austri janë përfshirë në këtë konkurs, kemi 6 subjekte, 5 prej të cilave më të mëdhatë dhe tashmë është duke u përgatitur projekti final dhe në 30 janar do të kemi para nesh prezantimin e atyre projekteve që do të jenë në garë, ku do të jetë fitues projekti më i mirë, më i mundshëm dhe funksional”, tha Gonxhja.
“Besoj se brenda vitit 2025 – 2026 do ta shohim këtë vepër brenda kontekstit dhe ata që dyshojnë në këtë projekt besoj se nuk dinë, apo janë jashtë interesit publik”, tha Gonxhja.
Automotoparku Elbasan shënon një hap historik për automotorizmin shqiptar dhe aktivitetet automobilistike, si dhe për promovimin e kulturës së motorsportit në Shqipëri.
Gjithashtu do të ngrihet muzeu dhe atelieri RETRO, drag-strip me gjatësi 1.2 km në kushte sigurie, autodrom dhe kartodrom i parë i homologuar, akademi motosporti dhe akademia e edukimit mbi sigurinë rrugore, poligone profesionale testimi, pistë off-road, helipad dhe zonë sportive mjetesh ajrore ultra të lehta.
Ky park do të shërbejë edhe si qendër eventesh indoor dhe outdoor, muzeu e atelieri RETRO, drag strip me gjatësi 1.2 km në kushte sigurie, autodrom dhe kartodrom i parë i homologuar, akademi motosporti dhe akademia e edukimit mbi sigurinë rrugore, poligone profesionale testimi, pistë offroad, helipad dhe zonë sportive mjetesh ajrore ultra të lehta.
Investimi përfshin edhe kompleksin e ri të DRSHTRR Elbasan me Qendrën e re të Kontrollit Teknik (kolaudimi), dedikuar shërbimeve të transportit rrugor.