Policia kakavije

Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Risku”, duke parandaluar një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike drejt Greqisë. Aksioni u zhvillua nga shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, mbi bazën e informacioneve operative dhe analizës së riskut.

Policia njofton se gjatë kontrolleve të detajuara me mjete logjistike bashkëkohore, një kamion në dalje të territorit të Shqipërisë u kalua fillimisht në skaner dhe më pas në vijën e dytë të kontrollit. Nga verifikimet u zbulua një hapësirë e krijuar posaçërisht në dyshemenë e mjetit, ku ishin fshehur rreth 166 pako me lëndë narkotike të dyshuar kanabis, me peshë totale rreth 350 kilogramë.

Në pranga u vu drejtuesi i kamionit, shtetasi E. Q., 33 vjeç, banues në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sasia e lëndës narkotike dhe mjeti transportues.

Strukturat e DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me drejtoritë e tjera vendore të policisë dhe nën drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër, vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights