Një 17-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Kamzës, pasi dyshohet se ishte i përfshirë në incidentin me armë zjarri që ndodhi dy ditë më parë në këtë qytet. Sipas hetimeve paraprake, i mituri dyshohet se drejtonte automjetin nga i cili u qëllua në drejtim të një makine tjetër.
Gjatë procedurave hetimore, mësohet se ai ka dhënë deklarata të rreme për të fshehur të vërtetën dhe për të mbrojtur personat e tjerë të përfshirë. Për këtë arsye, ai akuzohet për pengim të drejtësisë, deklarim të rremë përpara oficerëve të policisë gjyqësore dhe drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt.
Ndërkohë, policia është në ndjekje të tre personave të tjerë, të shpallur në kërkim për këtë rast. Po vijojnë hetimet për të dokumentuar të gjithë dinamikën e ngjarjes dhe për të zbuluar autorët e tjerë të përfshirë.
Si pjesë e hetimeve, autoritetet kanë sekuestruar dy automjete që dyshohet se u përdorën nga të dyshuarit për të kryer sulmin. Ndërkohë, po punohet për lokalizimin e një mjeti tjetër, me të cilin agresorët u larguan pasi braktisën automjetet e mëparshme.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 22 shkurtit, rreth orës 22:30, në Kamëz. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk pati persona të lënduar. Policia vijon përpjekjet për të arrestuar të gjithë përgjegjësit e kësaj ngjarjeje dhe për të garantuar sigurinë në qytet.