Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimin për dy shtetas në Fier për krim elektoral.
Sipas njoftimit të SPAK-ut, nën hetim janë babai i një kandidateje për deputete i një subjekti politik në këtë qark, si dhe një shtetas tjetër.
Me datë 8 Maj 2025, shtetasi P.B., është takuar me shtetasin V.L., me qëllim për t’i kërkuar votën për vajzën e tij që kandidon si deputete. Për të përmbushur kërkesën e tij, i ati i kandidates i ofroi shtetasit V.L. një shumë parash, si dhe një fletë të ngjashme me atë të vorimir ku ishte shënuar me ngjyrë portokalli emri i vajzës kandidate për deputete.
I ati i kandidatës me urdhër të SPAK është arrestuar për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”. Shtetasi V.L. është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje”.
“SPAK regjistron procedimin penal për korrupsion aktiv dhe pasiv gjatë zgjedhjeve, në Fier.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 08.05.2025 ka regjistruar procedimin penal nr.60/2025 për veprat penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsionit pasiv në zgjedhje”, të parashikuara nga nenet 328 dhe 328/b të Kodit Penal. Procedimi është regjistruar mbi bazën e materialit referues të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier ndërsa hetimet janë zhvilluar me metoda proaktive të hetimit.
Mbi bazën e hetimeve të kryera, deri tani është krijuar dyshimi i arsyeshëm, se më datë 08.05.2025, rreth orës 10:00, shtetasi me inicialet P.B. është takuar me shtetasin V.L në banesën e këtij të fundit dhe i ka kërkuar mbështetje për vajzën e tij – kandidate për deputete e një subjekti politik në zgjedhjet e 11 Majit 2025. Në këmbim të mbështetjes, shtetasi P.B i ka ofruar shtetasit V.L një shumë parash dhe një fletë të ngjashme me atë të votimit, ku me ngjyrë portokalli, ishte shënuar emri i kandidates që duhej të votohej. Gjatë kontrolleve të kryera është sekuestruar fleta e ngjashme me atë të votimit dhe një kartmonedhë.
Nga hetimi rezulton se shtetasi V.L. ka konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, ndërsa shtetasi P.B. dyshohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Më datë 12.05.2025, në orën 02:00 është ekzekutuar urdhri i prokurorit të posaçëm për ndalimin e shtetasit, P.B, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë shtetasi, V.L. Hetimet vijojnë për të verifikuar raste të tjera të shitblerjes së votës nga shtetasi, P.B.
Prokuroria e Posaçme falenderon Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Policinë e Shtetit për bashkëpunimin në kryerjen e hetimeve lidhur me këtë procedim penal”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.