800 0 1747655184x2 456

Në Novi Sad, protesta e organizuar nga studentët dhe aktivistët ka hyrë në ditën e pestë të bllokadës së Gjykatës së Lartë, në shenjë kundërshtimi ndaj ndalimit të gjashtë aktivistëve dhe studentëve që janë në paraburgim për më shumë se dy muaj.

Ata akuzohen për përpjekje për të rrëzuar rendin kushtetues të Serbisë. Bllokada u zhvillua për herë të parë më 15 maj, pas një vendimi të gjykatës për zgjatjen e paraburgimit të të ndaluarve, që ndodhen nën hetim për veprat penale të rënda.

Pjesëmarrësit në protestë, përfshirë studentë, qytetarë dhe aktivistë, kanë qëndruar para gjykatës edhe gjatë fundjavës, duke bllokuar të gjitha hyrjet e ndërtesës, ndërsa policia ka qenë e pranishme pranë hyrjes kryesore. Organizatorët e protestës kanë deklaruar se do të vazhdojnë bllokadën derisa të lirohen të ndaluarit.

Ata kanë bërë thirrje për solidaritet dhe mbështetje nga qytetarët dhe punonjësit e gjykatës, duke i inkurajuar ata të futen nga hyrjet kryesore të ndërtesës, për të shmangur përdorimin e hyrjeve anësore.

Një nga personat që ndodhet në paraburgim dhe ka shkaktuar shqetësim të madh është Marija Vasiq, një profesoreshë dhe aktiviste nga Novi Sadi, e cila ka nisur një grevë urie që nga data 13 maj. Ajo është transferuar në spitalin e burgut në Beograd për shkak të përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore.

Familja e Vasiq ka reaguar duke theksuar se nuk kanë marrë asnjë informacion zyrtar për gjendjen e saj, ndërkohë që Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale ka bërë të ditur se informatat për shëndetin e Vasiq janë të disponueshme për publikun që nga fillimi i trajtimit të saj mjekësor.

Marija Vasiq, së bashku me pesë aktivistë të tjerë, u arrestuan më 14 mars, një ditë para një proteste të madhe në Beograd. Ata akuzohen për përgatitje të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Serbisë. Arrestimi i tyre ka shkaktuar një reagim të gjerë, duke përfshirë transmetimin e një incizimi të përgjuar në televizionet proqeveritare, ku diskutoheshin planet për një qeveri kalimtare dhe për organizimin e një hyrjeje në ndërtesën e Radiotelevizionit të Serbisë gjatë protestës.

Kjo ngjarje ka ngritur shqetësime të mëdha për lirinë e shprehjes dhe për shkeljen e të drejtave të aktivistëve dhe studentëve që angazhohen për ndryshime politike dhe sociale në Serbi.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights