Gjykata e Durrësit ka lënë në arrest shtëpie Luis Xhumarin, pronarin e Jet Ski-së ku më 1 Qershor humbi jetën një turist anglez.
“Gjykata vendosi caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi””, thuhet në një njoftim.
Xhumari u arrestua pas ngjarjes për “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”.
Ai u ka dhënë me qira Jet Ski-n dy turistëve anglezë, të cilët kanë rezultuar pa patentë për drejtimin e mjetit lundrues dhe nuk i ka pajisur me skafandër mbrojtëse, por vetëm me jelek shpëtimi.
Po ashtu është pezulluar edhe aktiviteti i subjektit.
Çifti anglez kishte marrë me qira paraditen e 1 Qershorit mjetin Jet Ski dhe pasi dolën në det, pas disa minutash u gjendën në një zonë shumë metra larg bregut.
Viktima, Sylvester Obeng, që ishte edhe shoferi, ka bërë një manovër teksa lëvizte me shpejtësi dhe, për pasojë, ka humbur kontrollin e mjetit, duke përfunduar në det të hapur së bashku me partneren e tij.
Sipas dyshimeve, ata kanë qëndruar për një kohë të gjatë në det të hapur, deri në momentin kur në ndihmë u kanë ardhur forcat e policisë kufitare, të njoftuara nga qytetarët.
Pasi i kanë nxjerrë në breg, shoferi i Jet Ski-t ka humbur jetën, ndërsa partnerja e tij u dërgua në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Pas disa orësh, e reja ka kaluar rrezikun për jetën dhe përpara oficerëve të policisë, ka pohuar dinamikën e incidentit, që sipas saj ka ndodhur si pasojë e një manovre të kryer nga partneri i saj.
“Nuk dinim not dhe po përpiqeshim të mbijetonim. Duke u përpjekur të mbijetonim, Sylvester-in nuk e mbajti mbi ujë jeleku, dhe unë, në mbijetesë e sipër, nuk e pashë më çfarë ndodhi me të,” tregoi e mbijetuara Vera Baume.
Vetë pronari i subjektit, Luiz Xhumari, ka deklaruar se ka bërë të pamundurën për t’u ardhur në ndihmë turistëve, por distanca e largët ku çifti anglez kishte lundruar e ka bërë të pamundur shpëtimin e 34-vjeçarit.