M kodheli

M. Kodheli, 25-vjeçari i cili disa ditë më parë vrau babain e tij, Pjetër Kodheli doli sot para gjykatës ku u njoh me masën e sigurisë “arrest me burg”. Atij i ishte caktuar një avokat nga gjykata.

Në nisje të seancës, ai u shfaq i qetë dhe jo i penduar.

Fillimisht ishte organi i akuzës që tregoi të gjithë dinamikën e ngjarjes më 28 tetor.

“Është marrë dëshmia e Valentinës, bashkëshortes së viktimës, e cila ka treguar se Marjani gjatë ditës ishte i mërzitur. Në momentin që ajo ka dalë jashtë për t’u kujdesur për bagëtitë, ka dëgjuar britmat e Pjetrit dhe më pas është kthyer në banesë, ku ka parë Marjanin duke e goditur të atin me thikë në trup”, deklaroi prokuroria.

Sipas organit të akuzës, autori i ngjarjes ka deklaruar se gjithçka ka ndodhur pasi i ati i ka kërkuar të jetë më i kujdesshëm në pritjen e njerëzve dhe në sjellje ndaj tyre.

“Ai i ishte përgjigjur “këtu jam”, ndërsa shikonte telefonin. Në atë moment, i ati e kishte kapur për fyti dhe ai ishte ndjerë i bllokuar. Aty pranë kishte kapur një thikë dhe kishte goditur të atin. Pasi ishte larguar nga banesa, ishte kthyer sërish për të marrë celularin. Meqë e ëma i kishte hequr thikën nga dora, ai kishte marrë një shufër hekuri dhe e ka  goditur sërish të atin dy herë të tjera, përpara se të merrte celularin dhe të largohej përfundimisht nga banesa”, tha prokuroria.

Ndërsa avokatja kërkoi caktimin e masës së rehabilitimit në një spital psikiatrik pasi, M. Kodheli vuan nga probleme të shëndetit mendor.

“Ende nuk arrin t’i kuptojë sjelljet e tij”, tha avokatja, e cila u shpreh për gazetarët se ndaj tij duhet t’i bëhet një akt ekspertimi për të vlerësuar gjendjen e shëndetit mendor.

Mirëpo 25-vjeçari Kodheli është shprehur se ai nuk e di kush e ka sulmuar të atin.

“Nuk jam dakord për pjesën e rrezikshmërisë. Mua po më sulmonin, nuk e di kush e ka sulmuar. Mund të ketë qenë dikush tjetër që e ka sulmuar. Më vjen shumë keq që jam këtu për një situatë të tillë. Mbase bëjmë një seancë tjetër kur të jem më i qetë. Unë nuk jam njeri agresiv, jam marrë punë të ndershme në ndërtim”, tha ai.

Këto nuk mjaftuan për gjykatën, e cila vendosi arrest me burg për të riun.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 28 tetor në shtëpinë e familjes në Shkallnur të Durrësit. 69-vjeçari Kodheli u godit me thikë nga i biri.

25-vjeçari M. Kodheli ishte kthyer nga Greqia rreth gjashtë muaj më parë.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights