Sot më 11 gusht, në një ceremoni zyrtare, Presidenti Begaj, dekretoi Gjeneral Lejtnant Arben Kingji në detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për një mandat të dytë.
“Ceremonia nisi me ekzekutimin e Himnit Kombëtar dhe vijoi me leximin e dekretit të Presidentit të Republikës për emërimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjit “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, njoftoi zyra për shtyp e Presidencës.
Pas leximit të dekretit, Gjeneral Lejtnant Arben Kingji bëri betimin me dorën mbi Kushtetutë.
Në ceremoninë e betimit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm mori pjesë Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, si dhe komandantët e forcave dhe strukturave të tjera të Forcave të Armatosura.
Kush është Arben Kingji
Gjenerallejtënant Arben Kingji ka lindur në Kukës, më 22 dhjetor 1970. Pas mbarimit të Akademisë Ushtarake “Skënderbej” dhe titullimit oficer, ai u emërua komandant toge në Repartin Ushtarak 9001. Në Turqi, kreu Kursin Bazë Komando në vitin 1993 dhe Kursin Bazë të Forcave Speciale në vitin 1999.
Gjenerallejtënant Kingji ka shërbyer në detyra të ndryshme duke përfshirë komandant toge; instruktor taktik; drejtues i Grupit VII Special në Batalionin Komando; shef i S-3 i Batalionit Forcave Speciale; zëvendëskomandant i Batalionit të Forcave Speciale; oficer shtabi për trajnim dhe vlerësim në Komandën e Bashkuar; komandant i Batalionit III në Forcën Tokësore; komandant i Batalionit të Mbështetjes së Shtabit të Përgjithshëm; komandant i Batalionit të Policisë Ushtarake; atashe ushtarak në Rumani.
Në shtator 2020, u promovua me gradën madhore gjeneral brigade me dekret të presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe në 02 tetor 2020 u emërua komandant i Forcës Tokësore.
Në 02 gusht të vitit 2022, gjenerallejtënant Kingji mori detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Në 27 nëntor 2024, me dekret të presidentit të RSH u promovua në gradën më të lartë madhore gjenerallejtënant.
Ai ka shërbyer në katër misione jashtë vendit: tre në Afganistan (2003; 2009; 2012) dhe një në Irak (2006), si komandant kontingjenti në të gjitha misionet.
Gjenerallejtënant Kingji ka kryer përfunduar të gjitha kurset institucionale të oficerit të karrierës, si dhe ka kryer një sërë kualifikimesh të tjera si: Kursin e Standardeve të NATO-s; Kursi i Trajnimit CIMIC; Kurs Orientimi për Kontrollin e Armëve; Kursi i Mbrojtjes dhe Sigurisë Personale.
Përgjatë karrierës së tij mbi 39-vjeçare ushtarake është vlerësuar me medalje të ndryshme si: Medalja për Shërbime të Shquara nga ministri i Mbrojtjes; Medalja e Shërbimit; Medaljen e Shërbimit të Merituar dhënë nga SHBA; Medalja NATO-ISAF; Medalja e Shërbimit Ndërkombëtar dhënë nga Ministria e Mbrojtjes; Medalja e Karrierës; Medalje për Shërbime të Veçanta, si dhe Medalja e Artë e Shqiponjës e dhënë nga presidenti i Republikës së Shqipërisë në vitin 2003.
Gjenerallejtënant Kingji flet gjuhën angleze dhe turke. Ai është i martuar me dy fëmijë.