Listës së gjatë të akuzave të Partisë Demokratike ndaj mazhorancës socialiste i shtohen edhe akuzat e deputetit Saimir Korreshi. Deputeti demokrat i Lushnjes, përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se i kanë marrë xhupin brenda në sallën e Kuvendit.
“Aq shpejt iku PS nga seanca sa u perplasen me njeri tjetrin. Ore po xhupin tim kush e vodhi. Nuk u ngopet 12 vjet?!”, shkruan ai. Postimin e shoqëron me një foto nga momenti i hyrjes në seancën plenare të kësaj të enjte, me në krah kolegët Edmond Spaho dhe Luan Baçi.
Në dalje, Korreshi ka qenë me deputetin e qarkut të Elbasanit, Dashnor Sula. Ka qenë pikërisht ky i fundit që e ka kujtuar duke i thënë se kishte xhup në mëngjes.
Me kaq u mbyll edhe seanca e kësaj jave në Parlament, ku në rend dite pati një interpelancë, që u shty dhe u propozua edhe një nismë e socialistëve për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në fshat.