Gjykata e Posaçme e Apelit ka hedhur poshtë ankesat e paraqitura nga Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, dhe vëllai i tij Arbër Veliaj, kundër vendimit të mëparshëm të GJKKO-së që lejoi kontrollet ndaj tyre. Vendimi vjen në vijim të një hetimi pasuror të nisur nga SPAK.
Mbrëmjen e kaluar, Ajola Xoxa iu nënshtrua një sesioni pyetjesh nga prokurorët e SPAK që zgjati rreth tre orë. Ky proces lidhet me hetimet mbi pasuritë dhe burimet financiare të kryebashkiakut Veliaj dhe personave të lidhur me të.
Në fillim të dhjetorit, me urdhër të GJKKO-së, policia gjyqësore kreu kontrolle në zyrat dhe ambientet që përdoren nga kompania e Xoxës. Gjatë këtij operacioni, asaj iu sekuestrua telefoni celular. Në të njëjtën kohë, kontrolle të ngjashme u zhvilluan edhe në banesën e vëllait të Veliajt.
SPAK nuk ka dhënë detaje të plota mbi hetimet, duke përmendur vetëm se po kryhen “veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal”. Një ndër pistat kryesore përfshin një verifikim të rolit të Veliajt në çështjen e inceneratorit të Tiranës dhe kompanisë “5D”, që më parë ishte në pronësi të ish-drejtorëve të Bashkisë së Tiranës.
Erion Veliaj ka reaguar publikisht, duke shprehur mbështetje për veprimet e Prokurorisë dhe duke deklaruar gatishmëri për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë. Hetimet janë ende në fazë fillestare dhe priten zhvillime të mëtejshme në këtë çështje të ndjeshme.
