Gjermania iu bashkua apelit të SHBA-së, Italisë dhe shteteve të tjera perëndimore në kërkesën drejtuar Kurtit që të zbatojë vendimin e Kushtetueses. Në deklaratën zyrtare thuhet se mosrespektimi i këtij vendimi për konstituimin e përbërjes së re parlamentare kërcënon mirëqenien e qytetarëve dhe integrimin evropian.
Diplomatët perëndimorë theksojnë se duhet të veprohet në mënyrë urgjente që t’i jepet fund kësaj krize gati gjashtëmujore. Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 8 gusht, publikoi njoftimin mbi aktgjykimin e saj lidhur me ngërçin politik, duke thënë se deputetët duhet të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh dhe se kryekuvendari i ri duhet të zgjidhet përmes votimit të hapur.
Afati kohor prej 30 ditësh nis kur të publikohet aktgjykimi i plotë i Kushtetueses në Gazetën Zyrtare, gjë që ende nuk ka ndodhur.
Partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, PDK, LDK dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërkaq ai është kritikuar nga fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.
LVV-ja e ka cilësuar vendimin e Kushtetueses si arbitrar, duke shtuar se “përbën devijim të rrezikshëm nga roli kushtetues” dhe se është “në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve”.
Aktgjykimi i plotë i Kushtetueses, përveç se hap rrugën për mbajtjen e seancës konstituive në ditën pasuese, pritet të sqarojë më shumë çështje. Ai mund t’i përgjigjet edhe një kërkese tashmë të tërhequr të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik, afati i përcaktuar më herët nga gjykata përmes një aktgjykimi.
Në aktgjykimin e saj të mëparshëm, të cilin deputetët e shpërfillën, Kushtetuesja nuk kishte treguar pasojat juridike të një shpërfilljeje të tillë. Kushtetuesja mund të tregojë tani se cilat do të jenë pasojat, nëse deputetët e shpërfillin sërish urdhrin 30-ditor për bërjen e Kuvendit të ri.
Kriza politike është shkaktuar pasi asnjëra parti, në zgjedhjet e shkurtit, nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme. LVV-ja i fitoi 48 ulëse dhe partitë e tjera parlamentare nuk kanë pranuar ta votojnë kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, për emërimin e së cilës nevojiten të paktën 61 vota. Sipas vendimit të ri të Kushtetueses, LVV-ja mund të hedhë në votim një kandidat për kryeparlamentar vetëm tri herë.
Seanca konstituive nuk mund të thirret pa u publikuar aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese. Që Kuvendi të konsiderohet i konstituuar, duhet të zgjidhet kryetari dhe pesë nënkryetarët. Vetëm pas kësaj, nisin afatet për formimin e qeverisë së re të Kosovës.