Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka reaguar lidhur me procesin e vizave dhe sigurinë kombëtare.
Sipas saj, SHBA-të vazhdojnë të mbrojnë vendin dhe të mirëpresin udhëtarët e ligjshëm, duke ruajtur standardet më të larta të kontrollit në procesin e vizave. Ambasada shton se vijon bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet agjencive të ndryshme të qeverisë amerikane, përballë çdo kërcënimi.
Ky reagim vjen në një kohë kur autoritetet amerikane theksojnë rëndësinë e sigurisë dhe kontrollit të rreptë.
Jo më larg se dje, 29 gusht, u mor vendimi i bujshëm për revokimin e vizave për Presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, dhe rreth 80 zyrtarë të tjerë.
Ndërkohë, Departamenti i Shtetit Amerikan ka nisur një rishikim të plotë të mbi 55 milionë vizave të lëshuara për të gjithë të huajt që jetojnë aktualisht në SHBA. Rishikimi i vizave përfshin kontroll të llogarive në rrjetet sociale, regjistrat policorë të vendeve të origjinës, si dhe çdo shkelje të ligjeve amerikane që mund të jetë kryer që nga transferimi në SHBA.