Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj prezantoi sot kandidatin për kryetar bashkie në Finiq, Leonidha Papa.
Alibeaj u shpreh se Partia Demokratike po kalon një proces të dhimbshëm, por të domosdoshëm.
“Dy vite më parë, ai që ishte drejtuesi historik i Partisë Demokratike, ka qenë dy herë president, dy herë kryeministër prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej Mbretërisë së Bashkuar, u përcaktua non grata. Jo vetëm kaq, por ky ishte një rrezik i madh për Partinë Demokratike nëse nuk ndodhte që të merrte një masë distancimi, e gjithë Partia Demokratike do të ishte e izoluar. Perëndimi vendos mure të forta dhe kjo në situatën ku jemi, të jesh i izoluar do të thotë të mos kesh asnjë shpresë në të ardhmen për qeverisje”, theksoi ai.
Ne, vijoi Alibeaj, zgjodhëm të ruanim Partinë Demokratike të pastër, të respektonte lirinë e individit, të drejtën e pronës, të përndjekurit dhe pronarët.
“Sali Berisha dhe Ilir Meta hynë në politikë në 90-ën dhe janë ende në politikë. Por unë nuk di lider në Europë sot që të jenë ende. Kanë ikur kryeministra në Gjermani, Itali, Francë e kudo, kanë ikur nuk janë më në skenë politike. Vetëm këtu janë ende. Edi Rama ka në pushtet pa lëvizur fare që në 1998-ën. 1998-2023 ka bërë pushim vetëm një vit e gjysmë. Iku nga Bashkia e Tiranës në 2011, erdhi në pushtet në 2013-ën. Gjithë pjesën tjetër ka qenë në pushtet. Është e paimagjinueshme që të rrinë kaq kohë në pushtet njëri apo tjetri”, theksoi ai.
Sipas Alibeajt, “është e papranueshme dhe e patolerueshme që sot Sali Berisha të shpallë luftë ndaj Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimi Europian”.
“Nuk është kjo Partia Demokratike. Kjo është sfida që na ka ndodhur ne në PD dhe unë e kuptoj fare mirë që është kohë e vështirë dhe unë kam një falënderim për të gjithë kandidatë tanët që marrin përsipër një sakrificë të tillë. Unë e kam për nder që këtu në Finiq ne prezantohemi me një njeri i cili është bërë vet, pa ndihmën e askujt. Nuk i ka zhytur duart në fondet e buxhetit të shtetit, nuk ka vjedhur. Përkundrazi, nga aftësia e vet, e biznesit të tij, ka ndihmuar komunitetin. Dhe kjo është garancia për nesër”, tha Alibeaj.
Kjo, sipas tij, “është garancia që nesër Leonidha Papa në krye të kësaj bashkie, pushtetin që qytetarët do t’ia japin me votë do t’ua kthejë në shërbime, në kopshte, çerdhe, rrugë ujësjellës, kanalizime”.
Po ashtu, Alibeaj ripërsëriti apelin për hapjen e dosjeve të komunizmit, në mënyrë që gjithë ata bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit të mos marrin më funksione politike dhe shtetërore.
“Ata njerëz që kanë qenë deri dje në sistemin diktatorial dhe kanë sjellë të zeza për të gjithë shoqërinë shqiptare, edhe për komunitetin grek këtu në këtë bashki, sot nuk mund të kenë sy e faqe e të jenë drejtues. E pra, po ju them një gjë: Partia Demokratike e ka iniciuar këtë projektligj dhe është pikërisht trekëndëshi i Bermudës që nuk e pranon. Sepse janë të lidhur pikërisht me metastaza me të shkuarën e vjetër. Ndaj ka vlerë që sot, që në këto zgjedhje të tregojmë se ka një alternativë tjetër, ndryshe. Që mendon ashtu dhe e thotë të vërtetën ashtu siç duhet”, tha ai.

