Trump3 675x450

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është tërhequr nga kërcënimi për të goditur infrastrukturën energjetike të Iranit, pas paralajmërimeve të forta nga aleatët dhe vendet e Gjirit për pasojat e një përshkallëzimi të tillë. Sipas raportimeve të agjencisë Blumberg, partnerët e SHBA-së e kanë paralajmëruar privatisht se një sulm ndaj infrastrukturës en rgjetike iraniane mund të çonte në destabilizim të thellë dhe në krijimin e një “shteti të dështuar” pas konfliktit.

Trump deklaroi se po i jep Teheranit një afat pesë-ditor për të ndërmarrë hapa konkretë drejt negociatave, duke theksuar se beson se bisedimet mund të çojnë në një marrëveshje dhe t’i japin fund tensioneve. Vendimi për të zbutur qëndrimin erdhi në një klimë shqetësimi të lartë ndërkombëtar, ndërsa aleatët paralajmëruan për rrezikun e një “katastrofe totale” nëse konflikti përshkallëzohet më tej. Tërheqja e presidentit amerikan përkoi edhe me përpjekjet për të stabilizuar tregjet financiare. Pas njoftimit, çmimi i naftës Brent shënoi rënie të ndjeshme, ndërsa indeksi S&P 500 dhe obligacionet amerikane u rritën.

Ish-zyrtarja e Pentagonit, Dana Stroll, deklaroi se ky ishte një hap për të shmangur një përshkallëzim të ri që mund të konsiderohej edhe shkelje e së drejtës ndërkombëtare. “Nuk është rastësi që njoftimi erdhi pak para hapjes së tregjeve në SHBA”, u shpreh ajo. Sipas burimeve diplomatike, vende si Egjipti, Turqia dhe Pakistani po luajnë rol ndërmjetësues mes Uashingtonit dhe Teheranit, megjithëse nuk është e qartë nëse ka negociata të drejtpërdrejta. Trump pretendoi se kontaktet kanë nisur tashmë, duke përfshirë bisedime mes përfaqësuesve iranianë, Xhered Kushner dhe Stiv Uitkof, ndërsa shtoi se Irani mund të jetë i gatshëm të bëjë lëshime për programin bërthamor.

Megjithatë, autoritetet iraniane i mohuan këto pretendime. Ministria e Jashtme e Iranit deklaroi se nuk ka bisedime me SHBA-në, ndërsa drejtues të parlamentit i cilësuan deklaratat e Trump si “lajme të rreme” me qëllim ndikimin në tregje. Ndërkohë, kryeministri britanik Kir Starmer konfirmoi se Mbretëria e Bashkuar është në dijeni të zhvillimeve diplomatike, ndërsa aleatët evropianë mbeten të shqetësuar për ndikimin që një konflikt i zgjatur do të kishte edhe në luftën në Ukrainë. Pavarësisht sinjaleve për dialog, analistët theksojnë se mosbesimi mes palëve mbetet i lartë dhe se perspektiva për një marrëveshje të shpejtë është ende e pasigurt.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights