Një alarm është dhënë pak më parë në aeroportin ndërkombëtar të Athinës, për shkak të një uljeje emergjente të një avioni.
Sipas informacioneve të para nga ERT, një avion me 150 pasagjerë që kryente fluturimin Athinë – Riga, kontaktoi me kullën e kontrollit të aeroportit “Eleftherios Venizelos” duke kërkuar leje për një ulje emergjente.
Të dhënat fillestare flasin për shfaqjen e tymit në kabinën e pilotit të avionit Airbus, i cili u detyrua të kthehej pak pas ngritjes. Sipas platformës së ndjekjes së fluturimeve Flightradar24, avioni i kompanisë çarter Carpatair, që kryente fluturimin e AirBaltic (BT6162), u drejtua fillimisht drejt verilindjes dhe më pas u kthye duke bërë ulje në Spata.
Sipas ERT, të gjithë pasagjerët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa avioni pritet të kontrollohet nga teknikët.