Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka kërkuar konstituim të shpejtë të Kuvendit të Kosovës. Një ditë pasi Gjykata Kushtetuese njoftoi se Kuvendi i Kosovës nuk është i konstituar pa zgjedhjen edhe të nënkryetarit nga komuniteti serb, Orav tha se aktualisht janë duke analizuar aktgjykimin, edhe pse Kushtetuesja ende nuk e ka publikuar të plotë vendimin.
Gjykata Kushtetuese vendimin e 30 shtatorit e ka marrë pas ankesës së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komuniteteve joshumicë.
Kryeparlamentari i sapozgjedhur, Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuar Legjislaturën e nëntë në fund të muajit gusht, pavarësisht që nuk u arrit të votohet nënkryetari i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Orav, i pyetur nga KosovaPress për vendimin e djeshëm të Kushtetueses, tha se janë duke e analizuar vendimin, ndërsa theksoi se shpresa e tij është që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt të jetë e mundur dhe të ketë një qeveri të re në vend.
“Ne, ashtu si njerëzit në Kosovë, e kemi marrë këtë informacion tash kohët e fundit, në të njëjtën mënyrë edhe Bashkësia Ndërkombëtare e mori po ashtu kohët e fundit, dhe ne po e analizojmë për momentin. Por sigurisht shpresa jonë është që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt të jetë e mundur, dhe shpresojmë shumë që edhe të ketë një qeveri të plotë sa më shpejt”, theksoi Orav.
Ai pati një porosi për partitë parlamentare në Kuvendin e Kosovës.
“Ju lutem, konstituoni Kuvendin, dhe ju lutem, formoni Qeverinë”, shtoi diplomati i BE-së.
Gjykata Kushtetuese në vendimin e djeshëm ka thënë se seanca konstituive nuk ka përfunduar, pasi që nuk është zgjedhur nënkryetari serb i Kuvendit.
“Gjykata njëzëri ka vendosur: Të konstatojë që seanca konstituive e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.
Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët që posa aktgjykimi të hyjë në fuqi, deputetët të konstituojnë Kuvendin e Kosovës brenda afatit 12-ditor.