Bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Ajola Xoxa, ka reaguar lidhur me akuzat e ngritura nga prokuroria e posaçme për aktivitetin e qendrës artistike “Harabel”. Sipas SPAK, kjo organizatë është përdorur për të përfituar fonde nga buxheti i Bashkisë së Tiranës, por Xoxa i ka mohuar kategorikisht këto pretendime.
“Në akt-akuzën ndaj meje thuhet se unë qenkam ‘pronare’ e Harabel. Nuk e di nëse kjo është një keqkuptim mbi natyrën ligjore të një OJF-je apo një interpretim i qëllimshëm. Ajo që di me siguri është se unë nuk jam pronare e kësaj organizate, as ligjërisht, as praktikisht,” – është shprehur ajo.
Xoxa ka argumentuar gjithashtu se qendra Harabel ka pasur një aktivitet të gjerë dhe të dokumentuar në fushën e artit, duke organizuar:
- 30 ekspozita të artit vizual me mbi 220 artistë dhe 15 kuratorë;
- 28 biseda me personalitete të artit dhe arkitekturës;
- 12 shfaqje performative të fokusuar në film dhe art bashkëkohor;
- 8 vepra arti të instaluara në hapësira publike;
- 23 evente artistike të organizuara në bashkëpunim me festivale të njohura, si DokuFest dhe Manifesta Biennale;
- 9 punëtori të drejtuara nga 24 artistë, ku kanë marrë pjesë mbi 220 të rinj.
Duke iu referuar burimeve të financimit, Xoxa ka theksuar se gjatë shtatë viteve të funksionimit, qendra ka përfituar vetëm dy projekte nga Ministria e Turizmit me një financim total prej rreth 10 mijë eurosh. Ajo sqaroi se ka qenë anëtare e bordit drejtues të Harabel dhe jo drejtoreshë ekzekutive, siç pretendohet në akt-akuzën e SPAK.
Ky reagim i Xoxës vjen në një kohë kur hetimet mbi financimet dhe projektet e realizuara nga organizata janë intensifikuar, ndërsa ajo këmbëngul se aktiviteti i Harabel është krejtësisht transparent dhe në përputhje me ligjin.