Bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Ajola Xoxa është paraqitur mëngjesin e sotëm në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” para oficerëve të Policisë Gjyqësore të premten e parë dhe të tretë të çdo muaji.
Xoxa qëndroi për rreth 20 minuta në ambientet e SPAK, ku ka qenë e shoqëruar nga avokati i saj, Emir Bejta. Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, bashkëshortja e kryebashkiakut Veliaj nuk ka preferuar që të japë një prononcim për mediat.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ajo dyshohet se ka kryer veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Referuar SPAK, është krijuar dyshimi se Veliaj dhe bashkëshortja e tij kanë kryer veprime korruptive, si dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Ndërkohë, me vendim të GJKKO-së, ndaj Veliajt është lënë në fuqi masa e sigurisë “arrest me burg”. Ai ndodhet në paraburgimin e Durrësit.
Kreu i Bashkisë së Tiranës dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.