Agron Gjekmarkaj, nënkryetar i Kuvendit dhe i Partisë Demokratike, ka reaguar për incidentin e ndodhur gjatë protestës së së hënës mbrëma, që përfundoi me dërgimin e tij me urgjencë në spital. Në një deklaratë për mediat, ai mohoi versionin e paraqitur nga policia dhe shprehu indinjatën për trajtimin e tij.
“Po të mos kishte qenë për deklaratën dizinformuese të policisë, nuk do të kisha reaguar për atë që ndodhi me mua. Nuk jam nga ata që kërkoj apo nxjerr viktimizime. Në jetën time as kam nxitur, as kam përqafuar ballafaqime fizike. Dje thjesht u mbrojta,” tha Gjekmarkaj.
Sipas tij, përplasja nuk lidhej me ndonjë problem shëndetësor, por ishte rezultat i dhunës së ushtruar nga forcat e policisë. Ai tregoi se ndodhej pranë një automjeti të vogël me shoqëruesin e tij, një punonjës i Gardës, kur u rrethuan nga një grup policësh. Edhe pse shoqëruesi i tij u paraqiti dokumentin identifikues, situata degjeneroi në një përdorim të panevojshëm force.
“Iu drejtova policëve duke u thënë se jam Agron Gjekmarkaj, nënkryetar i Kuvendit dhe deputet. Me një ton të qetë e pothuaj humoristik, shtova se nuk jam një person që merrem me palestër apo që dallohem për forcë fizike. Pavarësisht kësaj, ata më shtynë dhunshëm, duke thyer pasqyrën e makinës dhe duke më ngritur nga toka. Shoqëruesi dhe një qytetar nga Lezha më tërhoqën nga turma, por ndjeva që frymëmarrja po më ngadalësohej dhe humba ndjenjat,” rrëfeu Gjekmarkaj.
Ai falënderoi të gjithë ata që i erdhën në ndihmë gjatë momentit të vështirë, përfshirë mbështetës dhe qytetarë të thjeshtë. Gjekmarkaj kritikoi ashpër sjelljen e policisë, duke e krahasuar me praktikat e kohës së diktaturës. Ai shprehu keqardhje për protestuesit e tjerë të ndaluar apo të lënduar, të cilët, sipas tij, nuk kanë marrë vëmendjen e merituar.
Deklarata e tij ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa incidenti po vazhdon të jetë temë debati në arenën politike.
