Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e hapi vitin e ri me një seri ndryshimesh në drejtuesit politikë të qarqeve, duke përshtatur strukturat e partisë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare më 11 maj.

Një nga lëvizjet më të spikatura është zëvendësimi i Pandeli Majkos në qarkun e Kukësit. Në vend të tij, Rama ka emëruar Eduard Shalsin si drejtues të fushatës në këtë qark. Majko, një figurë e njohur dhe me kontribut të gjatë në Partinë Socialiste, do të angazhohet tashmë në Tiranë, në njësinë numër pesë, një zonë me rëndësi strategjike në kryeqytet.

Pas ndryshimit, Majko u adresua me një mesazh mirënjohjeje për strukturat socialiste të Kukësit, duke shprehur falënderime për bashkëpunimin e tyre ndër vite. “Kam qenë i nderuar të jem pjesë e përpjekjes suaj për Partinë Socialiste. Ndjesë për çdo gabim si ‘i ardhur’ dhe faleminderit për çdo hap që kemi hedhur së bashku,” shkroi ai.

Ndryshimet nuk ndalojnë vetëm në Kukës. Thuajse të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar janë angazhuar në terren, duke shërbyer si drejtues politikë ose mbështetës në qarqe specifike. Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka marrë detyrën e re në Lushnje, duke mbështetur drejtuesen e qarkut të Fierit, Belinda Ballukun. Po ashtu, ministrja Bora Muzhaqi është angazhuar në Librazhd, në ndihmë të fushatës në Elbasan të drejtuar nga Arbjan Mazniku. Në Vlorë, përkrah Bledi Çuçit, janë shtuar ministrat Pirro Vëngu dhe Anila Denaj për të forcuar fushatën atje.

Një tjetër fokus i rëndësishëm gjatë mbledhjes së fundit ishte vota e diasporës. Drejtuesit politikë të qarqeve janë ngarkuar me krijimin e databazave për të identifikuar emigrantët që mund të marrin pjesë në zgjedhje. Procesi i regjistrimit të diasporës në platformën elektronike të KQZ-së nis më 11 janar, ndërsa fushata në diasporë po udhëhiqet nga Taulant Balla, i cili ka intensifikuar takimet me emigrantët për t’i informuar mbi procedurat e regjistrimit dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre.

Në Tiranë, ku konkurrenca pritet të jetë e fortë, Rama ka vënë në dispozicion një ekip të zgjeruar për të drejtuar fushatën. Përveç Elisa Spiropalit, e cila mbulon Kamzën, Vorën, Rrogozhinën dhe Kavajën, në kryeqytet janë të angazhuar edhe Erion Veliaj, Ogerta Manastirliu, Blendi Gonxhja, Igli Hasani dhe Delina Ibrahimaj, të cilët kanë marrë në dorë koordinimin e njësive administrative.

Ndryshimet e bëra reflektojnë një strategji të qartë për të forcuar praninë e Partisë Socialiste në qarqe dhe për të siguruar rezultate të favorshme në zgjedhjet e ardhshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights