Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski tha se garancitë e sigurisë për Kievin për t’i dhënë fund luftës së Rusisë do të ishin efikase vetëm nëse Shtetet e Bashkuara i ofrojnë ato dhe se ai shpresonte të takohej me Presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, shumë shpejt pas inaugurimit të tij.

Në një intervistë me podkasterin amerikan Lex Fridman, Zelenski tha se ukrainasit po mbështeten tek Trump për ta detyruar Moskën t’i japë fund luftës së saj dhe se Rusia do të përshkallëzonte situatën në Evropë nëse Uashingtoni do të largohej nga aleanca ushtarake e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, NATO.

Pothuajse tre vjet pas pushtimit të Rusisë, zgjedhja e Trump, i cili kthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, ka ndezur shpresën për një zgjidhje diplomatike për të ndaluar luftën, por gjithashtu frikën në Kiev se një paqe e shpejtë mund të ketë një çmim të lartë. Zelenski përdori intervistën tre-orëshe të publikuar në YouTube për të bërë thirrje për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, duke theksuar besimin e tij se një armëpushim pa garanci sigurie për Kievin thjesht do t’i jepte Rusisë kohë për t’u riarmatosur për një sulm të ri.

Udhëheqësi ukrainas tha se Shtëpia e Bardhë nën Trumpin, kishte një rol jetik në ofrimin e garancive të sigurisë dhe pohoi se ai dhe presidenti i zgjedhur i SHBA-së besojnë se do të nevojitet një qëndrim për “paqe përmes forcës” për t’i dhënë fund konfliktit. “Pa Shtetet e Bashkuara, garancitë e sigurisë nuk janë të mundshme.

Vetëm këto garanci sigurie mund të parandalojnë agresionin rus,” tha ai duke pranuar në heshtje se aleatët evropianë të Kievit do të ishin shumë të dobët ushtarakisht për ta menaxhuar vetë situatën. Megjithëse ai tha se i takon Shteteve të Bashkuara të përcaktojnë të ardhmen e tyre, Zelenski paralajmëroi se çdo vendim i Uashingtonit nën drejtimin e Trump për të dalë nga NATO do të dobësonte aleancën ushtarake dhe do ta shtynte Putinin të guxonte më shumë në evropë.”Unë thjesht po them se nëse kjo ndodh, Putini do të shkatërrojë Evropën,” tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights