Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga burgu 313 ku ndodhet që prej 21 tetorit, pas arrestimit të tij në autostradën Tiranë-Durrës me urdhër të SPAK. Në një mesazh për mediat, Meta akuzon mazhorancën për kontrollin mbi drejtësinë dhe manipulimin e proceseve hetimore për kundërshtarët politikë.

Meta thekson se thirrja e Belind Këlliçit në SPAK “brenda dy javësh, i kallëzuar nga një person i dënuar në pesë shtete si mashtrues dhe terrorist, për një foto të vetme me Presidentin Trump”, është një akt i motivuar politikisht. Ai shton se ndërkohë që korruptuesi i Charles McGonigal nuk është ftuar asnjëherë nga SPAK, pavarësisht provave të bashkëpunimit të tij me të afërm të fuqishëm të mazhorancës, përfshirë Altin Dumanin dhe miqtë e tij.

“Një numër simbolik i qelisë sime, 5, është një mesazh për 5 prioritetet tona të Partisë së Lirisë që janë rruga për të rivendosur sovranitetin dhe të mirën për çdo qytetar shqiptar. Nuk mund të burgoset kauza e Partisë së Lirisë dhe sovraniteti i shqiptarëve. Kjo është vetëm një përpjekje për të heshtur zërin tonë të ndershëm dhe të pavarur”, shkruan Meta.

Gjithashtu, ai vlerëson punën e kolegëve të tij brenda Partisë së Lirisë, të cilët, sipas tij, po vazhdojnë përpjekjet pavarësisht censurës së fortë politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights