Në Gjykatën e Apelit të Posaçëm u zhvillua këtë të enjte shorti për të caktuar gjyqtarin që do të trajtojë kërkesën e SPAK për apelimin e vendimit mbi masën e sigurisë të vendosur ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Gjyqtari Engert Pëllumbi u përzgjodh për të shqyrtuar ankimin e prokurorisë së posaçme, e cila kërkon shfuqizimin e vendimit të gjyqtares Flojera Davidhi. Më 27 nëntor, Davidhi vendosi të revokojë masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj Berishës, duke e zëvendësuar atë me “detyrim paraqitje”.

Pëllumbi do të shqyrtojë apelin e paraqitur nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai. Në përfundim të procesit, gjyqtari do të vendosë nëse do të lërë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë apo do të rikthejë masën e “arrestit shtëpiak” për Berishën, i cili është i akuzuar nga SPAK për korrupsion në lidhje me dosjen “Partizani.”

Berisha kishte qëndruar për 333 ditë nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” para se të apelonte vendimet në instanca më të larta, përfshirë Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit, në një vendim të mëparshëm, arriti në përfundimin se ndalimi i tij për të udhëtuar jashtë vendit cenonte detyrat e tij si deputet, ndërsa masa e “detyrimit për paraqitje” u konsiderua në përputhje me funksionet e tij si ligjvënës.

Procesi i ardhshëm pritet të sjellë qartësi mbi masat e sigurisë të aplikuara ndaj Berishës dhe mbi të ardhmen e dosjes “Partizani,” një rast që ka tërhequr vëmendje të madhe nga opinioni publik dhe media.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights