Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, është miratuar shpërblimi i fundvitit për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë. Familjet dhe individët në nevojë do të përfitojnë një bonus prej 15 mijë lekësh (150 euro) për t’u lehtësuar gjatë festave të fundvitit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cilësoi këtë vendim një akt solidariteti që synon mbështetjen e shtresave të cenueshme.
“Shpërblimi do të përfitohet nga 275 mijë familje dhe individë që janë pjesë e skemave të ndihmës ekonomike, përfshirë fëmijët pa kujdes prindëror, personat me aftësi të kufizuara si para apo tetraplegjikët, dhe individët me statusin e të verbrit,” deklaroi ministrja Koçiu.
Një risi e këtij viti është përfshirja e kujdestarëve të personave me aftësi të kufizuara në skemën e shpërblimit. Ministrja bëri të ditur se rreth 18 mijë ndihmës dhe kujdestarë do të përfitojnë gjithashtu bonusin e fundvitit.
“Shteti ka akorduar një fond prej 2.1 miliardë lekësh për këtë iniciativë, që synon të mbështesë jo vetëm ata që janë në nevojë, por edhe ata që kujdesen për të tjerët,” theksoi Koçiu.
Mbledhja e qeverisë solli gjithashtu miratimin e vazhdimit të programit të klubeve sportive për fëmijët dhe të rinjtë. Ky projekt përfshin rreth 12 mijë pjesëmarrës që angazhohen në aktivitete si basketbolli dhe volejbolli.
Po ashtu, është miratuar strategjia për nxitjen e sipërmarrjes inovative dhe programit të start-up-eve për vitin 2025. Aplikimet për këtë program do të qëndrojnë të hapura deri më 5 janar, duke ofruar mundësi për të rinjtë dhe bizneset e reja që të përfitojnë mbështetje financiare dhe teknike.
Me këto masa, qeveria synon jo vetëm të ndihmojë shtresat më të dobëta gjatë periudhës së festave, por edhe të krijojë baza për zhvillim afatgjatë në fusha të ndryshme të shoqërisë dhe ekonomisë.
