Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vizitoi sot në mëngjes Katedralen Katolike të Shën Palit në Tiranë, ku i shprehu Arqipeshkvit Arjan Dodaj dhe besimtarëve katolikë urimet më të mira për një Krishtlindje të gëzuar.
Gjatë vizitës, Kreu i Shtetit zhvilloi një takim me përfaqësues të komunitetit amerikan që shërbejnë në Shqipëri, përfshirë Ngarkuarën me Punë dhe stafin e Ambasadës Amerikane. Ai vlerësoi kontributin e tyre dhe u shprehu urime për festën e Krishtlindjes.
Arqipeshkvi Dodaj e falënderoi Presidentin për rolin e tij në promovimin e paqes dhe bashkimit, duke theksuar se në kohë të vështira, është jetike të përçohet fryma e shpresës dhe mirëkuptimit. “Krishtlindja na kujton rëndësinë e dashurisë dhe solidaritetit, duke ndihmuar njëri-tjetrin në frymën e bashkimit dhe besimit,” tha Presidenti Begaj gjatë takimit.
Po ashtu, Presidenti vizitoi selinë e Kishës Ungjillore të Tiranës, ku u prit nga Pastor Ergest Bitri, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë. Në këtë takim, ai theksoi nevojën për falënderim ndaj Zotit për bekimet që kemi dhe për ndihmën që mund t’u ofrojmë atyre që janë në nevojë. “Të përçojmë dashuri dhe mirësi duke ndihmuar më të varfrit, të dobëtit dhe të pamundurit, si shenjë e vërtetë e shpirtit të Krishtlindjes,” u shpreh Kreu i Shtetit.
