Një ditë pas zhvillimit të protestës në pesë akse kryesore të Tiranës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përsëritur akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe Policisë së Shtetit për dhunën ndaj Agron Gjekmarkajt, deputet dhe nënkryetar i PD.
Në një deklaratë nga selia e PD, Berisha e cilësoi dhunën e ushtruar ndaj Gjekmarkajt si të planifikuar dhe të urdhëruar nga vetë kreu i qeverisë.
Sali Berisha: “Mbrëmë, narkoshteti përdori policinë e tij të kontrolluar për të sulmuar Agron Gjekmarkajn, duke e çuar në spital. Kjo ishte një akt dhune i drejtuar ndaj një nënkryetari të parlamentit dhe të partisë sonë, si dhe ndaj protestuesve paqësorë që po shprehnin revoltën e tyre.”
Berisha e konsideroi protestën si një akt të suksesshëm të mosbindjes civile dhe shprehu besimin e tij për formimin e një qeverie teknike në një të ardhme të afërt.
Sali Berisha: “Jemi në prag të realizimit të një qeverie teknike, si një fitore e rëndësishme për opozitën shqiptare.”
Ai theksoi se veprimet e opozitës, përfshirë protestat dhe aktet e mosbindjes civile, do të çojnë drejt një fitoreje në zgjedhjet e 11 Majit.
Sali Berisha: “Në këtë përpjekje të vendosur, PD dhe partitë opozitare do të garantojnë rotacionin politik dhe fitoren më 11 Maj.”
Pavarësisht deklaratave të tij për vazhdimin e aksioneve të opozitës në forma të ndryshme, Berisha nuk ka bërë ende të ditur një datë të caktuar për protestën e radhës.
