640 0 1735031137xprotestaaaaaaaaaaa

Policia e Tiranës ka ndërhyrë gjatë protestës së organizuar nga opozita, duke arrestuar 7 individë dhe proceduar në gjendje të lirë 21 të tjerë. Të ndaluarit përballen me akuzat për “pengim të qarkullimit të mjeteve”, “kundërshtim të punonjësve të policisë” dhe “pjesëmarrje në tubime të paligjshme”.

Gjithashtu, sipas një deklarate zyrtare, 40 deputetë të opozitës janë proceduar penalisht në gjendje të lirë. Sipas policisë, ata dyshohen se kanë nxitur protestuesit për të bllokuar disa akse kryesore rrugore në kryeqytet, duke penguar qarkullimin normal të mjeteve.

“Protestuesit kanë kundërshtuar urdhrat e forcave të rendit për të liruar rrugët, duke u përplasur fizikisht me ta dhe duke refuzuar të largohen nga akset e bllokuara,” thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Protesta, e cila zgjati për rreth tre orë, bllokoi disa pika kyçe në Tiranë, përfshirë rrethrrotullimet te Pallati me Shigjeta dhe Zogu i Zi, Sheshin Wilson, Rrugën e Elbasanit dhe zonën para Bashkisë së Tiranës.

Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit ishin të shpeshta, ndërsa policia kërkonte hapjen e rrugëve për të rivendosur normalitetin në qarkullimin e automjeteve. Ndërkohë, përfaqësuesit e opozitës e kanë cilësuar ndërhyrjen si të tepruar dhe në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për protestë.

Prokuroria ka nisur hetimet për këtë çështje, ndërsa situata mbetet ende e tensionuar për shkak të reagimeve nga të dyja palët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights