640 0 1735037328xedi rama26

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar 188 gjimnazistë ekselentë, duke i cilësuar ata si simbol të përkushtimit dhe suksesit, pavarësisht sfidave që kanë përballuar. Gjatë një ceremonie, ai theksoi se këta të rinj janë shembulli i vendosmërisë për të kapërcyer çdo pengesë, duke zgjedhur të ecin përpara në rrugën e dijes dhe arritjeve.

“Jam i bindur se mes jush ka të rinj që ndoshta çdo mëngjes janë përballur me sfida si rrugëtimi i gjatë për të arritur në shkollë. Megjithatë, nuk e keni lejuar asnjë pengesë të bëhet justifikim. Ju keni zgjedhur të luftoni dhe sot qëndroni këtu si dëshmi e një përkushtimi të jashtëzakonshëm,” u shpreh Rama.

Kryeministri i konsideroi këta nxënës si heronj të kohës moderne, që pavarësisht sfidave të përditshme, kanë arritur të shndërrohen në shembuj pozitivë për të gjithë. Ai theksoi rëndësinë e përdorimit të teknologjisë për të eksploruar dijen pa kufij dhe i inkurajoi ata të vazhdojnë rrugën e tyre drejt ekselencës.

“Sot, ju keni të gjitha mjetet për të mësuar dhe për të qenë ndër më të mirët në botë. Teknologjia ju ofron mundësinë të lidheni me autorë, ide dhe dije që dikur ishin të paarritshme. Vazhdoni këtë rrugë dhe mos harroni se çdo ëndërr që shikoni me sy hapur, mund ta realizoni,” tha Rama.

Në fund, ai shprehu mirënjohjen për mundësinë për të qëndruar pranë “ajkës së ekselencës” dhe vuri në dukje rëndësinë e promovimit të modeleve pozitive, veçanërisht në një kohë kur rrjetet sociale shpesh amplifikojnë heronjtë negativë.

Ceremonia u mbyll me një mesazh inkurajues për të gjithë të rinjtë, duke nënvizuar vlerën e punës, përkushtimit dhe këmbënguljes si çelësa drejt suksesit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights